Edmond Haxhinasto: “Duke marrë shkas nga përsëritja e vazhdueshme nga PS e pretendimeve se gjoja Lëvizja Socialiste për Integrim në bashkëpunim me Partinë Demokratike, po pengojnë përfundimin e procesit të numërimit të votave. I kujtojmë atyre se me insistimin kushtëzues të lidershipit të Partisë Socialiste. LSI nuk është pjesë e administrimit zgjedhor, e KQZ-së apo e ndonjë strukture tjetër që administron rezultatin zgjedhor. Përkundrazi LSI ka pësuar një dëm të jashtëzakonshëm zgjedhor pikërisht nga pamundësia për të marrë pjesë në tryezat e numërimit të votave dhe për të menaxhuar votat e saj. Qëndrimet të tilla manipulative dhe të mbushura me mllef nga ana e lidershipit të PS-së, nuk e ndihmojnë atë që të ndryshojë rezultatin humbës që ka në zgjedhjet e 28 qershorit. Unë përfitoj nga ky rast për t’i bërë thirrje forcave politike, kryesisht PS-së dhe PD-së që marrin pjesë në administrimin e procesit zgjedhor dhe e kontrollojnë atë të realizojnë sa më parë deklarimin e rezultatit përfundimtar të këtyre zgjedhjeve për të mos dëmtuar më tej standardet e nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme”./tvklan.al