Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, pret rezultat pozitiv në ndeshjen e radhës ndaj Teutës në kampionat.

Në konferencën për mediat, tekniku i bluve, deklaroi se skuadra është në formë të mirë, por shtoi se janë me këmbë në tokë.

Sipas tij, sfida ndaj Teutës, është ndaj një rivali direkt, referuar pikëve në renditje. Daja zbuloi gjithashtu se po punohet për një afrim në skuadër.

“Na vjen mirë për nisjen, me një barazim me Partizanin dhe një fitore me Skënderbeun. Ekipi ka dhënë maksimumin për të vazhduar këtë seri pozitive dhe ka meritat kryesore. Jam i kënaqur, sepse ka qenë një ngjeshje e seancave stërvitore. Të gjithë lojtarët kanë treguar përkushtim. Për manovrën e lojës kemi shumë gjëra për të bërë.

Nëse shënon më shumë se kundërshtari, nuk më shqetëson aq shumë fakti që pësojmë gol. Kemi pasur shumë raste, na ka munguar qetësia dhe sigurisht që lojtarët janë njerëz. Ne kemi kthyer atë dozë besimi që nëse japim maksimumin të gjithë bashkë, gjërat do të përmirësohen.

Ne duhet të japim më shumë se sa kemi dhënë dy ndeshjet e fundit që të dalim nga Durrësi me rezultat pozitiv. Përveç Qardakut dhe Nanit, të gjithë janë në dispozicion. Na është kthyer Qefalija, që është një vlerë e shtuar. Kemi entuziazëm, sepse rezultatet e fundit na kanë dhënë një bonus psikologjik, por jemi me këmbë në tokë.

Nëse nisemi nga pikët në renditje, luajmë me një kundërshtar direkt. Teuta humbi ndeshjen e fundit, por të mos harrojmë se më parë mundi Skënderbeun. Presidenti dhe klubi po punojnë fort edhe për një afrim, por në këto kohë është pak e vështirë. Shpresojmë të plotësohemi me një apo dy lojtarë nga ata që nuk kanë firmosur kontratë.”, deklaroi Ilir Daja.

Ndeshja mes Teutës dhe Dinamos, është planifikuar të luhet këtë të shtunë në orën 20:00. /tvklan.al