Lajme Arkiva 2004

Shteti dhe kryesisht institucionet e drejtësisë janë angazhuar javët e fundit në hartimin e një ligji të rreptë antimafia, ku synohet goditja nëpërmjet bllokimit të pasurive të grupeve kriminal. Eksperienca e antimafias italiane është konsideruar  si një model i rëndësishëm që mund të përdoret edhe për legjislacionin shqiptar.

Në vizitën e  fundit në Shqipëri numri  2 i antimafias italiane Francesco Mandoi e konsideroi situatën në Shqipëri të ngjashme me atë të vrasjeve të viteteve 90 në Itali, ku mafia eliminoi gjyqtarë të njohur. Një nga juristët më të njohur në vend ish Ministër Drejtësie, aktualisht zëvendës kryetar aktual  i Këshillit të Lartë  të Drejtësisë Ilir Panda konsideron se në Shqipëri nuk ka mafie.

 Ilir Panda: Që të flasim a ka mafie në Shqipëri duhet të sqarojmë dhe të  biem dakord se ç’është mafia. Pra nëse do të flasim për një strukturë kriminale e cila vepron në mënyrë të organizuar, paralel me shtetin që kryen veprime të  ndryshme të të gjitha llojeve, që merr vendime dhe që i zbaton këto vendime, mendoj  që në Shqipëri, mund të ketë elementë të mafias, por një mafie e tillë e mirëfilltë, nuk ekziston.

Për Ilir Pandën sekuestrimet e fundit sollën domosdoshmëri të  funksionimit të një ligji të ngjashëm me modelin e disa shteteve evropiane, por që në  zbatimin e tij kërkon kujdes të veçantë.

Ilir Panda: Sigurisht këtu ka mjaft probleme teknike, ka edhe mjaft probleme parimore. Pse them ka probleme parimore? Ne pas viteve ‘90 vazhdimisht  jemi munduar, si jurist flas që të ngulisim në mendjet e njerëzve, në mendjet e publikut, përveçse në mendjet e personave që punojnë me drejtësinë se barra e provës i takon shtetit, sidomos në çështjet penale. Në rastin e sekuestrove të shumëfolura kohët e fundit, presupozohet që të vijmë në një situatë paksa të kundërt. Pra, nuk do të jetë shteti ai që do të provojë se pasuria përkatëse është vënë në rrugë kriminale, por në qoftë se personi do të akuzohet dhe do deklarohet fajtor për vepra të tilla që kanë të bëjnë  me trafikun e qenieve njerëzore, me trafikon e drogave dhe me veprime të tjera kriminale  të rënda dhe të organizuara që gjithsesi do i përcaktojë ligji, pra në qoftë se ai do të akuzohet për njërën nga këto vepra dhe do deklarohet fajtor, atëherë do jetë i detyruar që të vërtetojë se pasurinë në fjalë, në emër të tij, ndoshta dhe në emër të familjarëve duhet të vërtetojë që e ka në rrugë të ligjshme./tvklan.al