Autoriteti Europian i Medikamenteve (EMA) ka aprovuar për herë të parë insulinën javore për trajtimin e pacientëve në moshë madhore me diabet. Kështu do të jetë e mundur të bëhet reduktimi i marrjes së insulinës vetëm një herë në javë, që deri më tani është e përditshme.

Ndryshimi në terapi është thelbësor, pasi nga 365 injeksione në vit, ato bëhen vetëm 52 dhe gjithashtu përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientëve, duke prekur sferën personale, familjare, sociale, profesionale e psikologjike. Jo vetëm, gjithashtu ka një impakt të rëndësishëm edhe në mjedis, duke ndikuar në reduktimin e çlirimit të CO2. Sipas statistikave të OBSH-së për vitin 2021, janë 536 milionë persona që vuajnë nga diabeti në botë, ku rreth 90% e tyre nga tipi 2.

Për të diskutuar më shumë lidhur me këtë temë, ka qenë i ftuar te “Rudina” ditën e sotme, mjeku endokrinolog, Florian Toti.

Si fillim, ai sqaroi se insulina javore Icodec ka marrë lejen e përdorimit vetëm nga personat që vuajnë nga diabeti tipi 2, ndërsa për personat me diabet tip 1 është akoma e diskutueshme. Kjo lloj insuline ka 4-5 vite që testohet dhe kanë filluar studimet tek personat me diabet dhe vullnetarë të shëndetshëm deri sa është arritur në stadin e sotshëm.

Injektimi i kësaj insuline nuk nënkupton eliminimin e të gjithë insulinave të tjera, por ajo zëvendëson atë që quhet insulina bazale, ose insulina që bëhet në darkë.

Përdorimi i saj do të vërtetojë nëse ajo do të ketë nevojë të merret me të vërtetë njëherë në javë apo më shpesh.

Ky lloj insulinë nuk do të zëvendësojë gjithashtu as insulinën e vakteve, e cila do të vazhdojë të merret njësoj, çdo herë para ushqimit me të njëjtën skemë që është përdorur gjithmonë.

Insulina Icodec ka marrë miratimin për përdorim në Amerikë dhe Europë, vetëm nga personat ë moshë madhore dhe jo tek fëmijët për dy shkaqe kryesore:

1.Nuk arrin të mbulojë insulinën bazale.

2.Ka një numër relativisht më të lartë hipoglicemish, sidomos në 72 orët e para ku efekti i saj është edhe më i fortë.

Sipas doktor Florian Totit është një avancim goxha i mirë dhe efektiv për personat që vuajnë nga diabeti, por një zhvillim i rëndësishëm do të ishte dhe insulina që merret nga goja, pasi shumë pacientë refuzojnë të marrin trajtime pikërisht për këtë arsye.

Në këtë mënyrë insulina do të pranohej në një mënyrë shumë më të natyrshme si pjesë e trajtimit.

Për sa i përket përdorimit të saj në Shqipëri pritet të vijë rreth vitit 2026, pasi si fillim do të shpërndahet në vendet e Europës Perëndimore, në të cilën edhe numri i pacientëve me diabet është më i lartë.

Aktualisht numri i personave të diagnostifikuar dhe trajtuar me diabet në Shqipëri arrin në rreth 100.000, sipas statistikave të bëra së fundmi.

Ndërsa diabeti tipi 1, është një diabet i fëmijëve apo të rinjve, në të cilin organizmi është i shënjuar ta ketë këtë problem gjatë gjithë jetës.

Sistemi imunitar pas një sulmi apo një viroze, pankreasin nuk e quan më një pjesë të tij, por e quan si një trup të huaj. Ky është një proces autoimun, i pandalshëm.

Për këtë lloj ka vetëm disa medikamente që mund të ndikojnë në ngadalësimin e avancimit të tij, por jo në zhdukje.

Diabeti tipi 1, ka nevojë për trajtim të përjetshëm, pasi me shkatërrimin e pankreasit nuk mund të prodhohet insulinë dhe glukoza nuk mund të futet brenda në qelizë. Gjithashtu është diçka e trashëguar dhe mjekët nuk kanë shumë mundësi ndërhyrjeje, me përjashtim të zbulimit të tij në një kohë sa më të hershme.

Ndërkohë diabeti i tipit 2 është më i përhapuri dhe dikur mendohej se nuk ka nevojë të trajtohet me marrjen e insulinës. Por në ditët e sotme kjo nuk diskutohet sepse edhe një pacient i diagnostifikuar me këtë lloj ka nevojë për insulinë duke marrë parasysh shumë faktorë, si plakjen, lodhjen e pankreasit, etj.

Edhe ky tip diabeti ka një përqindje shumë të lartë gjenetike, por ka edhe faktorë të modifikueshëm, pjesë e të cilëve mund të përmendim: peshën trupore, yndyrat e larta, kolesteroli i mirë i ulët, mungesa e aktivitetit fizik.

Një rol të rëndësishëm ka edhe metabolizmi i gjithsecilit prej nesh. Një metabolizëm i shpejtë sipas mjekut përkthehet në fat, pasi mund të hash dhe nuk shëndoshesh gjë që ndikon drejtpërdrejt në diabet. Ndërsa për personat me diabet dhe metabolizëm të ngadaltë është shumë më e vështirë. Nuk mund të qëndrohet pa ngrënë apo duke bërë dieta drastike, pasi menjëherë niveli i sheqerit në gjak ulet dhe gjendja shëndetësore përkeqësohet.

“Një dietë që është e mirë për dikë nuk është e mirë për dikë tjetër. Dietat duhet të jenë të personalizuara dhe një kombinim shumë efektiv do të ishte ai me aktivitetin fizik”, tha mjeku endokrinolog.

Për sa i përket Ozempic ka patur një rritje graduale të përdorimit të tij nga persona që vuajnë nga diabeti, por që merret në rrugë ilegale, pasi në Shqipëri nuk është i regjistruar si medikament.

Në Evropë ekziston në sasinë 1 mg dhe injektohet njëherë në javë, ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara ka përdorim edhe me doza më të larta që arrijnë deri në 5 mg.

Një rezultat i këtij medikamenti është minimizimi i ndjenjës së urisë dhe kjo funksionon vetëm gjatë kohës së përdorimit të tij. Personi që e përdor ka energji, e duke të dhënë ndjesinë e ngopjes ndihmon në rënien në peshë.

Efektet më të shumta anësorë të Ozempic janë të përzierat, të vjellat, dhimbjet e forta në bark deri në pankreas.

Nga ana tjetër duhet patur kujdes, në studimet e bëra për këto lloj medikamentesh, përdorimi në doza të larta rrit nivelin e kalcitoninës dhe shkakton kancerin medular të tiroides. Kategorikisht personat që e kanë në gen nuk duhet ta përdorin këtë trend të rënies në peshë.

Ndërsa personat që e kanë si sëmundje shoqëruese bashkë me diabetin duhet të konsultohen me mjek endokrinolog nëse duhet ta përdorin apo jo atë përbërje mjekimi./tvklan.al