Turistët italianë prej disa vitesh tashmë zgjedhin bregdetin e Shqipërisë për pushime. Këtë sezon veror kjo gjë po vërehet edhe nga mediat italiane pasi në plazhet e jugut të Italisë ka një numër më të ulët të turistëve vendas.  Sipas një artikulli në të përditshmen italiane “Taormina News24”, të dhënat e turizmit gjatë gjysmës se parë të vitit 2024 në Taormina “kryeqyteti i turizmit” siçilian ka regjistruar 3,3% më pak pushues italianë.

Artikulli thekson se shumë italianë kanë zgjedhur Shqipërinë. Dhe jo vetëm turistët italianë, por edhe ata gjermanë, zviceranë dhe të Evropës Lindore kanë preferuar të pushojnë në Shqipëri.

Media italiane, raporton se në 5 vitet e fundit, mbi 2,5 milionë turistë italianë kanë vizituar Shqipërinë, me një rritje të flukseve prej 72% duke filluar nga viti 2021. Turistët italianë zgjodhën kryesisht plazhet e Durrësit dhe Golemit, si dhe bregdetin e Vlorës duke pasur parasysh kostot më të përballueshme në krahasim me vendpushimet në Itali, veçanërisht në Qershor, Korrik dhe Shtator.

Një prej arsyeve kryesore që pushuesit italianë zgjedhin Shqipërinë mbeten çmimet konkurruese dhe kjo gjë po ndikon në uljen e numrit të turistëve në destinacionet italiane të pushimeve, shkruhet në artikull.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit nga 1 Janari deri në Shtator Shqipërinë e kanë vizituar 9.7  milionë vizitorë të huaj, ku turistët nga Italia renditen të dytët pas atyre nga Kosova.

Klan News