Trajneri Pioli po mendon dorëheqjen
Kaos tek Milan. Përgjegjësit për pjesën teknike të skuadrës mund të shkarkohen. Mediat italiane raportojnë se Zvonimir Boban, është thuajse i shkarkuar, madje avokatët e klubit po përgatisin dokumentacionin për shkëputjen e marrëdhënieve.
Në prag largimi është edhe drejtori teknik, Paolo Maldini. Të dy zyrtarët kanë patur debate të brendshme me administratorin dhe drejtorin e përgjithshëm të klubit Ivan Gazidis.
Të tre personazhet kanë patur një takim dhe sikurse thuhet edhe një debat të fortë, nga i cili fitimtar ka dalë Gazidis i cili ka patur edhe mbështetjen e pronarëve të klubit. Shkak i debatit duket se janë bërë kontaktet e Gazidis me trajnerin Ralf Rangnick kur ende në krye të skuadrës është Stefano Pioli.
Largimi i kroatit Boban, dhe me shumë mundësi edhe i Maldinit, mund të reflektohet negativisht edhe tek Pioli i cili po mendon të japë dorëheqjen. Mediat italiane thonë se tekniku është duke menduar të paraqesë kërkesën për largim pas ndeshjes së kthimit në gjysmëfinalet e kupës së Italisë kundër Juventusit ose mund të qëndrojë deri në fund të sezonit.
Kjo vjen për shkak se Boban dhe Maldini janë dy mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Milan ndodhet në vendin e 7 në renditjen e kampionatit dhe jashtë zonës europiane.
Tv Klan