Ylli i Reggaeton, 46-vjeçari Don Omar njoftoi se është diagnostikuar me kancer. Specifikat e diagnozës së tij akoma nuk janë bërë të ditura.
“Sot po, por nesër nuk do të kem kancer. Shihemi së shpejti”, kështu ka shkruar këngëtari i famshëm në një postim në Instagram ku shfaqej një rrip dore nga Orlando Health.
Ky postim është pasuar me një “lumë” komentesh nga ndjekësit, kolegët e familjarët e artistit, duke i uruar shërim të shpejtë.
I lindur në Puerto Riko, Don Omar shpesh e përshkruan veten si “El Rey” i reggaeton në muzikën e tij.
Dy herë fituesi i “Grammy Latin” fitoi popullaritet në vitin 2003 me “The Last Don”, albumi i tij debutues që përmbante këngë të tilla si “Dale Don Dale” dhe “Pobre Diabla”, këngë të cilat “i ka përqafuar” dhe publiku shqiptar.
Gjithashtu, kënga shumë e famshme “Danza Kuduro” mban emrin e tij në bashkëpunim me Lucenzon.
Në 7 Gusht është planifikuar që të nisë turneu i tij në SHBA “Back to Reggaeton”, por mbetet e paqartë nëse do të zhvillohet apo shtyhet për një herë të dytë./tvklan.al