Ambasada izraelite në Romë është mbyllur, ashtu sikurse seli të tjera diplomatike të Tel Avivit. Alarmi u ngrit pas lajmeve për sulme të mundshme në këto seli nga Irani. Kërcënimi vjen pas sulmit izraelit me raketa në konsullatën iraniane, në Damask të Sirisë pak ditë më parë. Nga ky sulm humbën jetën zyrtarë të lartë të Teheranit. Sipas ANSA, janë rreth 30 misione diplomatike izraelite që u mbyllën nëpër botë.

Mbrëmjen e së enjtes, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mblodhi Këshillin e Sigurisë në Jerusalem, në përfundim të një dittë të mbushur me shqetësime e alarme për njerëzit e zakonshëm.

“Do të dimë të mbrohemi dhe do të veprojmë sipas parimit të thjeshtë që do t’i bëjmë keq kujtdo që do të na bëjë keq, ose do dojë të na bëjë keq”, paralajmëroi kryeministri izraelit. “Për vite me radhë Teherani ka punuar kundër nesh, qoftë drejtpërdrejtë, qoftë nëpërmjet emisarëve të tij, ndaj Izraeli ka punuar kundër Iranit, qoftë në mënyrë mbrojtëse, qoftë sulmuese”.

Një kundërpërgjigje e Teheranit pas sulmit izraelit në konsullatën iraniane është e pritshme për shumë analistë. Edhe vetë mbrojtja izraelite është e bindur që do të ndodhë.

“Presim ditë të vështira, nuk është e thënë që e keqja ka kaluar. Por jemi gati për të gjithë skenarët”, u shpreh kreu i inteligjencës ushtarake Aharon Aliva.

3 janë skenarët e mundshëm sipas medias izraelite Haaretz: Një sulm me dron apo raketa nga Irani drejt infrastrukturave të Izraelit, hipotezë që duket më pak e mundshme; sulme të intensifikuara me raketa nga Libani ose Siria nëpërmjet Hezbollahut apo milici të tjerashiite; ose “atentate në ambasadat izraelite”./tvklan.al