Historitë e gjeneralëve që kërkojnë eshtrat e ushtarëve të vrarë në Shqipëri vazhdojnë ende. Që prej disa ditësh, 8 specialistë të huaj kanë nisur kërkimet për gjetjen e eshtrave të 6 ushtarakëve, 5 amerikanë dhe 1 anglez, të cilët kanë humbur jetën gjatë një aksidenti ajror në fshatin Sheper të Zagorisë në mbrëmjen e 16 qershorit ‘44.

“ Ishte një avion transporti që u rrëzua në vitin 1944 dhe kishte një ekuipazh prej 5 amerikanësh dhe 1 britaniku, në përpjekje për të hedhur ndihma për banorët e zonës. 60 vjet më vonë ne gjendemi këtu për të marrë eshtrat e tyre. Të marrim eshtat e atyre individëve që bënë sakrificën më ekstreme, dhanë jetën për vendin e tyre.”

Sotir Koçi, një nga dëshmitarët okularë të natës kur u rrëzua avioni, tregon rrethanat e aksidentit.

Sotir Koçi: “Një mbrëma d.m.th., rreth 16 qershorit erdhi një avion në darkë dhe këtu në majë sipër, tek do të kthenin për në “fushën e bardhë” që i thomi neve, që do të zbarkonin, ai u godit në majë të malit edhe mori zjarr avioni, edhe mbi rezervuar ra avioni, edhe u dogjën të gjitha materialet që ishin brënda. Aty ishin 5 amerikanë brënda në ekupazh edhe 1 englez, dhe neve në, në atë kohë kam qënë rreth 16- vjeç, vamë atje duke qënë dhe partizanë dhe misionerë englezë të mbanim d.m.th. sehir se ç’kishte ndodhur atje, pamë d.m.th. që kishën vendosur 6 trupa, vendosur nëpër batanije. Trupat ishin djegur.”

Për gjetjen e eshtrave të këtyre ushtarakëve ky është mision i përsëritur. Brenda 14 viteve të fundit, grupe të tjera kërkuesish kanë ardhur dhe kanë dështuar në gjetjen e trupave të tyre.

Sotir Koçi: “Gjermanët i gjetën këto materiale aty dhe e minuan kishën, dhe e bënë shesh të tërën, e minosën, e hodhë kishën në erë dhe mbi varret e këtyre amerikanëve ra e gjithë kërrdia, gjithë muret e kishës ranë mbi vorrezat e këtyre, në krahtë këtyre, kështu që u bë një çikë e vështirë dhe për këta që kanë ardhur tashti, me gërmimet që bënë ishte shumë e vështirë, sepse ishte zënë gjithë kërrdia, gjithë muret e kishës, kishte rënë mbi varret që ishin varrosur këta.” /tvklan.al