Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të vendosin tarifa ndaj Kolumbisë, pasi Bogota zyrtare vendosi të pranojë, pa kufizime, emigrantët e deportuar. Lajmi u bë publik nga Shtëpia e Bardhë.
Donald Trump urdhëroi tarifa 25% për mallrat kolumbiane pasi presidenti i saj ndaloi dy avionë ushtarakë amerikanë që të zbresin në Kolumbi të dielën. Presidenti Gustavo Petro u përgjigj fillimisht duke thënë se vendi i tij do të pranojë qytetarët e riatdhesuar në “avionë civilë, pa i trajtuar ata si kriminelë”.
Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se tashmë Kolumbia ka pranuar emigrantët që mbërrijnë me avionë ushtarakë “pa kufizime apo vonesa”. Kolumbia tha se do të mbahet një dialog për të garantuar dinjitetin e qytetarëve të saj.
Shtëpia e Bardhë përshëndeti marrëveshjen me Kolumbinë dhe e konsideroi si një fitore të qasjes së ashpër të Trump, pas kërcënimeve që dy udhëheqësit e shtetit shkëmbyen në rrjetet sociale të dielën.
Ministria e Jashtme e Kolumbisë tha se e kishte tejkaluar ngërçin me Shtetet e Bashkuara disa orë pasi presidenti Petro e dënoi, atë që e quajti si “bllokadën” e Donald Trump.
Presidenti i Amerikës shpalli “masa të menjëhershme dhe reciproke”, ndaj Kolumbisë menjëherë pasi homologu i tij ndaloi fluturimet. Në masat e tij përfshiheshin tarifa dhe sanksione me vizat.
Ndërsa Petro u përgjigj duke shpallur tarifa ndaj SHBA.
“Bllokada jote nuk më tremb sepse Kolumbia, përveçse është vendi i bukurive, është zemra e botës”, tha ai.
Brenda disa orës, dy palët e zgjidhën çështjen dhe Shtëpia e Bardhë tha se Kolumbi pranoi “të gjitha kërkesat e Presidentit Trump”./tvklan.al