Duke nisur nga kjo e hënë kombëtarja ka filluar zyrtarisht përgatitjet për sfidat e fundit të edicionit të Ligës së Kombeve.
Të shtunën luhet kundër Çekisë, sfidën e parë kuqezinjtë e humbën 2-0 dhe paraqitje e bërë peshon tek futbollistët.
“Atje në Çeki ndoshta kemi luajtur ndeshjen më të keqe në dy vitet e fundit, pësuam gol në minutat e para. Pra vetëm më mirë duhet të bëjmë se më keq jo. Luajmë dy finale në shtëpi, kemi publikun tonë edhe mendoj që jemi të gjithë të përgatitur mirë. Edhe pse kemi mungesa them se do t’ja dalim”, thotë portieri Strakosha.
Duket se trajneri Sylvinho do t’u japë mundësi edhe të rinjve. 19-vjeçari Feta Fetai është pranë realizimit të ëndrrës.
“Hera e parë është më e veçantë por edhe kësaj here shumë mirë, më kanë pritur shumë mirë dhe me shumë ngrohtësi. Ëndrra e çdo fëmije është të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë dhe që të luajë shumë ndeshje në Europian ose Botëror”.
Grupi i futbollistëve pritet të jetë i plotë në stërvitjen e së martës.
Tv Klan