Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Vendimi zyrtar i Shqipërisë, për të mbështetur një luftë të mundshme amerikane kundër Irakut, ka marrë tashmë një formë konkrete. Në Gjirin Persik do të nisen shumë shpejt një kontingjent tjetër i forcave speciale ushtarake komando.

Krijimi i forcës ushtarake shqiptare, i hartuar me urgjencë nga stafi i Ministrisë së Mbrojtjes, projektligji për dërgimin e trupave ushtarake shqiptare në Gjirin Persik, është tashmë në tryezën e kryeministrit Fatos Nano. Në një veprim të paprecedent, kryeministri Nano ka thirrur me urgjencë mbledhjen e jashtëzakonshme të këshillit të ministrave, me kërkesë të Ministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko.

Sipas burimeve ushtarake, projektligji që më pas do të kërkojë edhe miratimin e Kuvendit të Shqipërisë është i ngjashëm me vendimin për dërgimin e trupave speciale në Afganistan. Gjithashtu njoftohet, se nuk bëhet fjalë për spostim trupash, por për dërgimin e një kontingjenti të ri.

Ndryshe nga Kabuli, ku funksioni ka qenë paqeruajtës në këtë rast nuk dihet ende se misioni i trupave shqiptare do të jetë ekskluzivisht i tillë, apo ata do të marrin pjesë direkt në luftime. E vetmja gjë e sigurt është se po diskutohet mes Shqipërisë dhe shteteve të bashkuara, për numrin, formacionet e specifikat ushtarake të komandove shqiptare.

Tashmë dërgimi i tyre në Gjirin Persik është çështje ditësh ose javësh. Trupat shqiptare do të transportohen përmes kryqëzorëve amerikan që veprojnë aktualisht në Adriatik-Mesdhe, Kanali i Suezit-Gjiri Persik dhe ka më shumë gjasë që të qëndrojnë pritje në anijet amerikane, derisa një sulm eventual ajror mbi Bagdat të përfundojë dhe ata të futën më pas së bashku me marinsat amerikanë në Bagdat, ku do të jenë përgjegjës për sigurinë dhe vendosjen e një rendi të ri në Irak, pas rrëzimit të Sadam Husein.

Pas Bosnjes dhe Afganistanit, ky do të jetë misioni i tretë ushtarak jashtë Shqipërisë, i forcave tona militare, me një shenjë tjetër afrimi me NATO-n dhe strukturat e koalicionit ndërkombëtar anti-terror./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti