Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi një zhvillim të shpejtë të teknologjisë digjitale në vend.
Një zhvillim që do të prekë kryesisht shërbimet më jetike për qytetarët, ku si shembull kryeministri solli ndihmën ekonomike, zyrat ku trajtohen çështje të pronësisë apo dhe shërbimi shëndetësor.
Sali Berisha: “Do zotëri të luftosh korrupsionin në shëndetësi fut digjitalizimin ku njerëzit të regjistrohen dhe të kenë radhë të përcaktuar me kompjuterë dhe jo me rryfshet dhe me mik. Do të krijohen drejtoritë e IT-së, merrni këshilltar për IT, sa mbani këshilltar filozofër më mirë merrni IT. Nuk është se filozofia humbet sensin e saj, filozofia është e përjetshme, por problemi është se populli na do për menaxherë ne, ne duhet të menaxhojmë këtë qeverisje në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptar dhe nuk ka interes më të madh se sa ai ti ketë shërbimet e digjitalizuara, nuk ka interes më të madh për një qytetar shqiptar se sa të shkojë në një sportel të vetëm dhe të marrë përgjigje për çdo gjë tek ai sportel. Të paraqitet vetëm në një sportel, të mos vijë në dyert e ministrive fare, por të ketë një sportel në qytetin e tij më të cilin ai komunikon më të gjithë qelizat e këtij shteti dhe merr çdo përgjigje që i duhet dhe merr çdo sqarim që i duhet. Nuk ka mënyrë më efiçente se sa përdorimi i taksave të qytetarëve shqiptar se sa tua konvertojë ato në një shërbim ti tillë.”
Duke i mëshuar rëndësisë së kalimit në projektin e shpallur prioritar të qeverisë moshën digjitale, kryeministri i dha porosi të posaçme ministrave të angazhohen në këtë drejtim. Proces që do të jetë nën monitorimin e ministrit të shtetit, Genc Pollo.
Sali Berisha: “Kushton, sigurisht që kushton, por kushton shumë herë më pak se sa vuajtjet e mundimit të qytetarëve shqiptar dhe mungesa e transparencës. Prandaj edhe njëherë iu bëj thirrje kjo periudhë jo e gjatë që ka mbetur para kalimit të buxhetit në qeveri të shqyrtoni çdo gjë, të gjitha projektet që keni. Gjyqësori, dosja, e tëra duhet të digjitalizohet me gjithë progresin që kemi bërë. Ne duhet të bëjmë përpjekjen më të madhe, më të fuqishme për të tejkaluar mesataren evropiane të penetrimit të IT-së.”
Gjatë mbledhjes së qeverisë kryeministri Berisha kërkoi gjithashtu të procedohet me shpejtësi me kërkesat e mbetura të pashqyrtuara nga agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave.
Sali Berisha: “Nuk do ketë zgjatje afati për paraqitje ankesash më pranë agjencive të kthimit dhe kompensimit të pronave, por ligjvënësi duhet ta autorizojë agjencinë që të shqyrtojë të gjitha ankesat e paraqitura para datës 30 qershor të cilat janë jo të pakta, por janë rreth 8 mijë që nuk u shqyrtuan dot na fat. Ankesat e ardhura para datës 30 qershor dhe që kanë mbetur pa shqyrtuar të marrin përgjigje në mënyrë që agjencia shkoi drejt shuarjes së saj natyrale.
Qeveria miratoi dhe planin kombëtar të veprimit që synon të mbështesë komunitetin rom dhe egjiptian në Shqipëri. Ky plan synon garantimin e kushteve sa më të mira të jetesës si dhe një trajtim social dinjitoz për ta.
Sali Berisha: “Disa përpjekje janë bërë, veçanërisht në fushën e strehimit. Është e domosdoshme që përpjekje tjera më të mëdha të bëhen. Ne shpresojmë se së shpejti … që është dhe banka dhe fondacioni që udhëhiqet nga nobelisti … të fillojë veprimtarinë në Shqipëri, veprimtari e cila do të konsistojë në mikrokredi për zonat e varfra.”
Nuk ishte rastësi që kryeministri Berisha në fund të komunikimit publik me median ju rikthye krye çështjes së mbledhjes së qeverisë.
Kryeministri shfrytëzoi rastin ti kujtojë medias se në fushën digjitale, ajo ka shënuar zhvillime te jashtëzakonshme.
Sali Berisha: “Në drejtim të moshës digjitale mediat janë në avaguard dhe dua tu shpreh respektin tim më të madh. Natyrisht duhet ti zhvilloni pak më shumë ato kamerat e fshehta, por gradualisht, në rastet kur imponojnë censurën jo në raste tjera.”/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi