Raporti i Bankës Botërore “Si të bësh biznes 2009”, raport ku Shqipëria u rendit e dyta mes ekonomive të 181 vendeve të botës, të marra në studim për reformat e kryera për të lehtësuar bërjen e biznesit është prezantuar zyrtarisht në një takim të organizuar nga zyra e BB për Shqipërinë dhe IFC.
I pranishëm në këtë takim ishte dhe kryeministri Berisha dhe drejtorja e Bankës Botërore për Europën Juglindore, zonja Jane Armitage.
Entuziast për pozicionin e Shqipërisë mes 10 ekonomive më reformatore në botë gjatë viti të fundit. Kreu i ekzekutivit shqiptar bëri një renditje të të gjitha nismave të qeverisë për të krijuar një klimë të përshtatshme për biznesin.
Sali Berisha: “Shqipëria ka bërë hapa të mëdha për të arritur rezultatet e publikuara në raport. Por hapi i qeverisë time nuk do të ndalet këtu. Kërkoj angazhimin e këtij ekipi hartues të raportit të përvitshëm “Si të bësh biznes” për të pasqyruar në raportin e ardhshëm reformat që përbën agjenda e këtij viti me qëllim përmisimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe stimulimin e prodhimit të brendshëm.”
Duke vendosur sërish në qendër të kritikave të tij bashkinë e Tiranës për tej zgjatje të procedurave për dhënien e lejeve të ndërtimit, gjë që dëmton bizneset në këtë sektor.
Kryeministri ka bërë të ditur se shumë shpejt këshilli i ministrave do të miratojë ligjin e ri të urbanistikës. Në të cilin do të shkurtohen afatet e pajisje së kompanive me leje ndërtimi. Kjo do të bëjë sipas Berishës që në raportin e ardhshëm të BB, Shqipëria të këtë vlerësim maksimal në këtë drejtim.
Për zonjën Armitage në raport konfirmohet progresi i dukshëm i vendit tonë në periudhën e tranzicionit dhe kjo përmes krijimit të rregullave për një ekonomi funksionale tregu.
Vendi duhet të mbështetet mbi këto arritje duke siguruar në të njëjtën kohë që rregullat e reja janë dhe rregulla të mira. Pra që të zbatohen në mënyrë transparente, efikase, të barabartë dhe që lehtësojnë më shumë sesa pengojnë investimet e mira dhe krijimin e vendeve të punës.
Gjatë paradites ekipi hartues i raportit të BB “Si të bësh biznes 2009” është pritur në një takim dhe në zyrën e kryeministrit. Berisha shprehu falënderimet e tij për ekipin e BB, i cili po asiston dhe në hartimin e një strategjie për investimet e huaja.
Kryeministri ka vlerësuar se ky dokument më një rëndësi të madhe në adresimin e vëmendjes së investitorëve në sektorë të rëndësishëm, për të mundësuar një numër më të madh vendesh pune./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka