Secili nga të 5000 personat në listën e përfituesve të kredive për strehim nga ky moment mund të aplikojnë pranë zyrave rajonale të entit të banesave për marrjen e kredisë me normë interesi zero.
Udhëzimi i ditëve të fundit i qeverisë eliminon koston e kredisë për të pastrehët, e parashikuar fillimisht në nivelin 3%.
Zv/Ministri i Financave, Sherefedin Shehu, shpjegoi për TV Klan detajet e kësaj skeme që ju vjen në ndihme të pastrehëve në të gjithë vendin.
Sherefedin Shehu: “Procesi ka filluar dhe ,më këtë ndryshim të gjithë personat që kanë fituar këtë të drejtë këtë vit përfitojnë të drejtën e kredisë me interes 0%. Pra, ata që kanë statusin e të pastrehut të vërtetuar nga këshilli bashkiak të bashkive paraqitet në entin kombëtar të banesave i cili i çon këto lista në bankat të cilat kanë fituar të drejtën e trajtimit të të pastrehëve. Prioritet do të kenë ata që janë shtëpitë e ish pronarëve.”
Shuma e kredisë së dhënë varijon në bazë të numrit të anëtarëve të familjes së pastrehë dhe qytetit ku do blihet banesa.
Sherefedin Shehu: “Personat përfitues duhet të kenë statusin e të pastrehut bazuar në certifikatat e gjendjes civile të vitit 92. Ndërsa masa e përfitimit varet sipas përbërjes familjare, rrethit. Psh Tirana e ka nga 2.7 deri në 5.2 milion shumën e përfitimit që marrin të pastrehët, por ka një rregull që kredia jepet në masën 80% të vlerës së banesës.”
Në dispozicion të kësaj skeme qeveria për këtë vit ka dhënë një fond prej 300 milionë lekësh.
Skema prek edhe personat të cilët kanë përfituar kredi për strehim me interes 3%, duke bërë të mundur zerimin e interesave mujore dhe rimbursimin e pagesave të kryera deri më tani./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro