Kryeministri Sali Berisha ka vazhduar turin “Shqipëria në NATO” në Qytetin Studenti, ku është takuar me studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës. Në fjalën e ti shefi i qeverisë është ndalur tek momentet kryesore të qeverisjes të këtyre 3 viteve, duke u premtuar të rinjve dhe qytetarëve shqiptar se mbetet synimi i tij realizimi i Lëvizjes së lirë pa viza për të gjithë.
Sali Berisha: “Do të punojmë me përkushtim, me seriozitet për t’ju bërë ju të lëvizni të lirë në mbarë Evropën, qytetarë të këtij kontinenti. Unë dua që qytetarët e Shqipërisë të lëvizin të lirë si evropianët. U zotova se do të marr çdo masë, dp të p[lotësojmë çdo lërkesë dhe çdo kriter.”
Ndër të tjera kreu i mazhorancës u shpreh se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO ishte rezultat i reformave të ndërmarra.
Sali Berisha: “Ne morëm ftesën për NATO, para së gjithash dhe mbi të gjitha, sepse ne ndërmorëm këto 3 vite, reformat më të thella apo ndër më të thellat në historinë e vendit. Morëm ftesën për NATO dhe do pranohemi në NATO si anëtar të plotë më shpejt nga ç’mendojmë.”
Kryeministri Berisha tha më tej se vetëm gjatë këtij viti për ndërtimin e rrugëve po investohen rreth 1.2 miliard lekë. Ai garantoi mbështetje me investime edhe për pushtetin vendor.
Sali Berisha: “Mos e gjykoni pastërtinë e Shqipërisë nga Tirana, se Tirana nuk është e pastër për shumë arsye, por para së gjithash Tirana ka nevojë për një trafik krejt tjetër dhe ne do të bëjmë çmos që dhe Tiranën pavarësisht se e kanë socialistët ta ndihmojmë për të dalë nga ndotja.”
Në takimin me studentët, kryeministri Berisha renditi si një nga premtimet e mbajtura të qeverisë së tij liberalizimin e universiteteve, ku sipas tij nga 50 mijë studentë që ishin para tre vitesh tashmë janë mbi 100 mijë dhe kjo shifër do të shkojë deri në 140 mijë./tvklan.al