Kryeministri Edi Rama ndodhet këtë të premte në Hungari, aty ku po zhvillon një vizitë zyrtare. Kreu i qeverisë shqiptare u prit në një takim nga homologu i tij hungarez, Viktor Orban, me të cilin më pas zhvilluan edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Në fjalën e tij, Orban theksoi se Shqipëria e meriton dhe duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur për 15 vite mesatarisht për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria ka pritur që prej 2019-s dhe unë kam folur edhe në Strasburg për këtë. Mendoj që kura më e mirë për të gjithë këtë situatë, është që BE t’i mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen e vet, sepse kështu do të qarkullojë më mirë gjaku tek ne, në familjen europiane. Shqipëria ka bërë një punë të mrekullueshëm gjatë bisedimeve me BE, në një proces që është bazuar tek merita në kuptimin e vërtetë të fjalës. Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE dhe duhet të ishte pjesë e BE edhe tani. Fatkeqësisht ne po shikojmë pengesa politike dhe është shumë e vështirë për t’i kaluar këto probleme, ndoshta, edhe këtë lloj qasjeje. Megjithatë unë mund t’ju them që kemi pasur sukses dhe javën e ardhshme në Luksemburg do të kemi konferencën ndërqeveritare ndërmjet BE dhe Shqipërisë dhe do të hapet grupkapitulli i parë dhe për këtë dëshiroj të përgëzoj Kryeministrin Rama dhe Shqipërinë”.
Orban u shpreh krenar që kjo ndodh gjatë kohës që Hungaria ka presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian dhe teksa mori shembullin e Kroacisë, ai e sheh këtë si një ogur të mirë.
“Jemi shumë krenarë që ky moment vjen në këtë periudhë kur Hungaria ka edhe presidencën e Këshillit të BE. Ndoshta e mbani mend që herën e fundit që kemi pasur diskutime të tilla ka qenë kur ne kemi qenë në presidencë dhe Kroacia u bë vend anëtar i BE. Dhe që prej atëherë nuk ka patur anëtarësime të tjera në BE. Por ja që ne e kemi bërë të mundur këtë gjë sërish. Hungaria në frymën e një politike të përgjegjshme të fqinjësisë së mirë ka ndihmuar Bashkimin Europian duke ofruar edhe mbështetje financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor. Pra ju nuk duhet të prisni për anëtarësimin që të përfitoni këtë gjë sepse ka një instrument tashmë nga i cili përfitojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne gjithashtu kemi diskutuar edhe bashkëpunimin tonë dy palësh. Kaq nga ana ime sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me Bashkimin Europian”./tvklan.al