Autostrada Durrës-Kukës një prej veprave më të mëdha të infrastrukturës rrugore të zbatuara ndonjëherë në vend, është vizituar nga afër nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Së bashku me një grup deputetësh, kryeparlamentarja ka parë nga afër ecurinë e gërmimeve në tunelin Rrëshen-Kalimash, avancimi i të cilëve ka tejkaluar tashmë 52.2% të volumit të punimeve.

Kryetarja e Kuvendit e cilësoji rrugën Durrës-Kukës, si projektin e mijëvjeçarit që do ta shndërrojë Shqipërinë në nyjen kryesore të rajonit.

Jozefina Topalli: “Në fakt mua më duket një gjigand që vrapon, një kolosë, një projekt inxhinierik i pa besueshëm. Është një mrekulli e inxhinierisë dhe duke vazhdu me këtë ritëm ne shumë shpejt do ta shohim të përpunuar si pjesën veriore të tunelit ashtu dhe pjesën jugore të tunelit”.

Topalli ka ftuar të gjithë faktorët politik të mbështesin investimet që do të çojnë Shqipërinë më afër standardeve të vendeve perëndimore.

Jozefina Topalli: “Për të gjithë ato që ende nuk e kanë gjetur rrugën për të ardh dhe për të pa këtë vepër që realisht ban krenarë çdo qytetarë të Shqipërisë. I përsëris dhe njëherë ftesën edhe për faktin se rruga që të sjellë deri tek tuneli dhe rruga autostrada e Shqipërisë që çon lidh portet tona me Kosovën dhe me Eruopën juglindore është me 4 kursi. Është Shqipëria me 4 kursi në të gjithë infrastrukturën e saj”.

Firmat zbatuese të punimeve kanë kryer deri më tani 20 milion metër kub gërmime, ndërkohë që thuajse ka përfunduar ndërtimi i urës më të gjatë 360 m dhe asaj më të lartit 80 m. Pas përfundimit autostrada Rrëshen-Kalimash do të jetë pjesë e një autostrade prej 170 km që do të lidhë bregun e Adriatikut me Kosovën./tvklan.al

Gazetar: Neki Feta