Edi Rama: “Grupi anëtar i Partisë Socialiste nesër do të vendosë sepse është ai grup që ka fjalën e fundit, por sot kryesia vendosi që t’i përcjellë grupit propozimin për një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin, pra Partia Socialiste do të jetë pjesë e këtij parlamenti pasi shumica e tij me një mandat politikisht jo legjitim të konsiderojë dhe të plotësojë kushtet që kanë të bëjnë me zgjedhjet. U diskutua në parim për atë që do të jetë një paketë kushtesh. Grupi parlamentar do të diskutojë më në detaje dhe padyshim këto do t’i bëhen të njohura publikut në momentin e duhur. Ajo që është e rëndësishme sot të kuptojnë që të gjithë është se nuk bëhet fjalë për një bojkot në kuptimin primitiv të kësaj fjale, por bëhet fjalë për një qëndrim të detyruar karshi të gjithë atyre qytetarëve e qytetareve që në 28 Qershor prisnin të kthenin një fletë të historisë duke filluar nga historia e zgjedhjeve të shëmtuara dhe të njollosura tradicionalisht dhe këtij detyrimi ne do t’i qëndrojmë me një aksion shumëplanësh, i cili do të jetë i koordinuar dhe sigurisht në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e Partisë Socialiste, me të gjithë opozitën, përtej të majtës e të djathtës”./tvklan.al