Mes disa skuadrave rivaliteti është aq i madh saqë fansat kundërshtarë mund të rrezikojnë edhe jetën. Policia franceze ka ndaluar tifozët e Paris Saint-Germain që të vishen me bluzën e ekipit të tyre të zemrës në qendër të Marsejës të dielën, ditë kur parizienët do të përballen me Bayern Munich për finalen e Champions League.
Veshja, madje edhe shfaqja e ngjyrave të ekipit të PSG-së, do të jetë e ndaluar në Marsejë. Vendim i çuditshëm, por mëse i duhur për autoritetet e rendit në Francë. Kjo pas trazirave që u krijuan në Marsejë gjatë gjysmëfinales që PSG zhvilloi ndaj gjermanëve të Leipzig.
Një person u arrestua sepse sulmoi një tifoz që ishte veshur me bluzën e PSG. Në të njëjtën natë, kur pjesa tjetër e Francës festonte, qindra tifozë të Marsejës këndonin këngë kundër PSG-së dhe shpërthyen shashka. Kjo detyroi autoritetet që të dilnin në një vendim të tillë.
“Qëllimi i vetëm i këtij vendimi është të mbrojmë mbështetësit e PSG-së dhe në asnjë moment të kufizojmë lirinë e lëvizjes së tyre”, thuhej në njoftimin e policisë.
Por jo vetëm ndeshja. Autoritetet i frikësohen grumbullimeve në Marsejë edhe për shkak se është një nga qytetet me numrin më të madh të infeksioneve në vend./tvklan.al