Kryeministri Albin Kurti, nuk është paraqitur për intervistim në Prokurorinë Speciale, ku ka qenë i ftuar të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal. Zyrtarja për Informim në zyrën e Prokurorit të Shtetit, Liridonë Kozmaqi, ka thënë se janë njoftuar nga Zyra e Kryeministrit se Kurti është në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet.  Ajo ka shtuar se konform ligjit në fuqi, Prokuroria do ta përgatisë një ftesë tjetër për Kurtin.

“Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që kjo prokurori e ka në hetim. Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet. Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër. Ende nuk është vendosur data për ftesën tjetër”, tha zëdhënësja.

Edhe zyra e kryeministrit ka konfirmuar se Kurti ndodhet jashtë vendit derisa ka shprehur gatishmërinë që prokurorët t’i presë në zyrën e tij.

“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti, ishte ftuar nga Prokurorinë Speciale të paraqitet sot në orën 09:30 në cilësinë e dëshmitarit. Ajo nuk dha detaje se për çfarë rasti bëhet konkretisht fjalë.

Tv Klan