Në një kohë kur po flitet kaq shumë për ligjin e hapjes së dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit Komunist, të gjithë janë të interesuar të dinë se kush do të jenë kategoritë, që do i nënshtrohen procesit të transparencës.
Për një pjesë të opinionit politik, por dhe apolitik edhe përfaqësuesit e mediave shumë prej të cilëve të përfolur si ish-informatorë, nuk duhet të përjashtohen nga bërja publike e dosjeve. Analistët e shtypit janë të gjithë dakord në këtë pikë. Gazetarët nuk duhet të përjashtohen nga ky proces që në këndvështrimin e tyre nuk e dëmton aspak median shqiptare.
Blendi Fevziu: “Të jesh në një debat që bëhet dhe ribëhet që prej 18 vjetësh dhe që kam përshtypjen më shumë sesa për të përcaktuar përgjegjësitë ose problemet e së shkuarës është një debat i cili hapet për të luftuar kundërshtarët politik brenda njërit apo tjetrit grup. Nëse doni mendimin tim, unë e konsideroj që ky është një proces shumë i vonuar për momentin, shumë gjëra tashmë nuk kanë më peshën e parë dhe nuk kanë më vlerën e parë. Gjithsesi të bësh transparencë në çdo kohë dhe sado vonë të jetë gjithsesi është më mirë sesa mos ta bësh”.
Gazetarja: A mendoni se është e nevojshme të bëhet dhe transparenca e dosjeve të gazetarëve. Është folur kaq shumë që ka shumë njerëz të medias të përfshirë si bashkëpunëtorë.
Blendi Fevziu: “Po u hapën dosjet padyshim që do hapen për këdo, s’ka pse të përjashtosh as gazetarët, as politikanët, pra hapja e dosjeve do të jetë një proces që do të hapet për çdo shtetas. Çdo shtetas të ketë të drejtën të konsultojë dosjen e tij, pra dosjen ai që ka pasur dosje dhe çdo shtetas të jetë transparentë përpara këtij procesi s’ka nuk bëhet për kategori të caktume kjo bëhet për të gjithë”.
Andi Bushati: “Unë mendoj se transparenca duhet bërë me çdo kusht. Është folur shumë që ka gazetarë të përfshirë dhe është abuzuar shumë me këtë gjë. Unë, për mendimin tim nuk është tejet e nevojshme që të hapen dosjet për gazetarët, por në qoftë se e themi këtë për të gjithë shoqërinë patjetër dosjet duhet të hapen dhe gazetarët. Unë mbroj gjithmonë idenë që gazetarët nuk janë një grupim shoqërorë i privilegjuar që duhet të kenë privilegje të tjera ndaj pjesës tjetër të shoqërisë”.
Skënder Minxhozi: “Të verifikohen njerëzit e medias si anëtarë aktivë të kësaj shoqërie, si figura që një pjesë e mirë e cilave janë figura publike, janë figura të cilët shfaqen në media me opinionet ose me atë çka kanë për të thënë, pra do të ishte normale që këta njerëz të kalojnë nëpër një filtër të tillë”.
Artur Zheji: “Mendoj që, kuptohet mirë do të ishte që dhe titullarë të medias të cilët mund të kenë bashkëpunuar me sigurimin e shtetit, të rrëfehen. Meqë detyra e medias është që t’i bëjë njerëzit të rrëfehen apo të rrëfejnë ata, të interpretojnë ata realitetin, le të rrëfejnë dhe të interpretojnë njëherë vetveten. Kjo do t’i bëjë ata më të besueshëm”./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka