Ruben Loftus-Cheek rivitalizoi karrierën e tij në Milano dhe shpreson se ai mund  të rikthehet në skuadrën e Anglisë pas largimit të Gareth Southgate.

28-vjeçari ka 10 paraqitje me Anglinë, duke bërë debutimin e tij në nëntor 2017, por paraqitja më e fundit ishte në nëntor 2018.

Ai kishte ambicie për t’u futur në ekip për Euro 2024 pas një sezoni të mirë te Milani, ku shënoi 10 gola dhe dha dy asistime në 40 ndeshje.

“Ishte mirë të isha një tifoz i Anglisë gjatë verës dhe i pashë ata në udhëtimin e tyre edhe pse nuk isha pjesë e skuadrës,” – u tha Loftus-Cheek gazetarëve.

“Ishte mirë të isha pjesë e kombit dhe kulturës gjatë një turneu madhor. Ne pothuajse e kaluam vijën, por nuk qe e thënë. Unë kam luajtur për Anglinë më parë dhe kam miq atje, kështu që doja që ata të kishin sukses. Këtë herë ishim shumë afër. Ndoshta herën tjetër kush e di, ndoshta mund të jem në skuadër për tw dhwnw kontributin tim” – Loftus-Cheek.

Ashtu si Tammy Abraham, Fikayo Tomori dhe Chris Smalling, Loftus-Cheek u injorua nga Southgate kur luanin në Itali.

Anglia ka arritur në dy finalet e fundit të Kampionatit Evropian, por u mund nga Italia në vitin 2021 dhe Spanja këtë verë.

Me Milanin në Ligën e Kampionëve sërish këtë sezon, ish-mesfushori i Chelsea, Crystal Palace dhe Fulham do të shpresojë të bëjë përshtypje këdo që do të hyjë në rolin e trajnerit të Anglisë pas largimit të Southgate.

/tvklan.al