Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar për shpifje televizionin News24. Bëhet fjalë për transmetimin e një kronike, sipas së cilës nga strukturat e LSI në Pukë janë larguar 100 anëtar së bashku me sekretarin e përgjithshëm Mehmet Ramadani. Por vetë ky i fundit ka dalë sot në krah të sekretarit të përgjithshëm të LSI-së Petrit Vasili për të përgënjeshtruar lajmin.
Mehemet Ramadani: “Në mungesë të plotë të reagimit të drejtuesve të News24 ndaj një lajmi të tillë gënjeshtër, do ti drejtohem drejtësisë shqiptare duke paditur televizonin News24 për shpifje dhe dëmin moral që ka bërë ndaj personalitetit tim.”
Petrit Vasili: “LSI është e detyruar ti drejtohet publikisht televizionit News24 dhe ta ftojë atë të çlirohet prej kapjes korruptive bashkiake. Të heqë dorë nga mungesa e profesionalizimit dhe përdorimit si instrument keqinformimi dhe i kthejë përmbushjes së misionit të tij si instrument i së vërtetës dhe informimit të publikut./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi