Lajme Arkiva 2003

Anëtarët e kabinetit Nano kanë filluar garë mediatike, vetëm një ditë pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste ku zëvendës kryeministri Meta akuzonte Nanon për anomali në qeverisjen e tij, kryeministri duket se ka shpërndarë disa nga ministrat si Peçi dhe Islami në emisionet televizive për të publikuar arritjet e qeverisjes.

Kështu megjithëse e shtunë mbrëmje janë postuar programet çlodhëse të fundjavës ndërsa ministrat të rezervuar për mediat gjatë ditëve të zakonshme kanë braktisur fundjavën për të deklaruar sukseset e punës në 6 muajt e fundit.

Ndërkohë në dikasterin e Rendit ministri Rama ka siguruar se strukturat policore janë të motivuara në zbatimin e ligjit dhe sigurimit të rendit publik pavarësisht klimës dhe debateve politike. Në një konferencë për shtyp të lajmëruar vetëm një orë para fillimit, titullari i rendit ka deklaruar duke përdorur edhe një pasqyrë shifrash se janar-qershor 2003 rezulton 6-mujori më i mirë për sa i përket situatës në vend duke e krahasuar edhe me situatën kohore që nga viti ’90.

I pyetur nga gazetarët ministri Rama njëkohësisht anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste është shprehur për debatin Nano-Meta se mund të ketë edhe pasojat e tij.

Luan Rama: Nga viti i kaluar të gjithë mbajnë mend që kostot politike të problemeve që shfaqi mazhoranca u shfaqën edhe në shtyrjen e afatit të nënshkrimit të çeljeve të negociatave të procesit të stabilizim-asocimit në Bashkimin Evropian. Pra nëse ato u çelën në fillim të këtij viti duhet t’ju kujtoj që duhet të ishin çelur që në vitin e kaluar. Qeverisja nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në arenën e konkurrencës politike qoftë kjo edhe brenda mazhorancës./tvklan.al