Pritet vetëm njoftimi zyrtar nga klubet, por ka lajme se mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mario Mitaj do të transferohet në formë huazimi nga Lokomotiva e Moskës tek sauditët e Al-Ittihad.
Sipas gazetarit italian të specializuar për merkaton e futbollistëve, Gianluca Di Marzio, arabët do të paguajnë 1.2 milionë Euro për periudhën e huazimit, me të drejtë blerjeje 5 milionë Euro të futbollistit.
Tek Al-Ittihad, Mitaj do të gjejë lojtarë si Benzema, apo Ngolo Kante. Mbrojtësi shqiptar, i lindur në vitin 2003, kishte interesimin edhe nga ekipe italiane si Lazio dhe Bolonja gjatë Euro 2024.
Nga ana tjetër, Di Marzio raporton se Marvin Çuni është drejt Rusisë. Klubet Rubin Kazani dhe Frosinone kanë përparuar në bisedime. Sulmuesi 23-vjeçar i grumbulluar më parë me kombëtaren shqiptare, kërkon më shumë minuta dhe experiencë në një kampionat të një niveli më të lartë se Serie B. Pritet të kuptohet mënyra e transferimit, huazim apo blerje.
Sulmuesi shqiptar i lindur në vitin 2001 mbërriti në Frosinone verën e kaluar. Pas 10 ndeshjeve në Serie A, ai tashmë ka dalë tre herë në fushë në Serie B këtë sezon, duke gjetur golin në ndeshjen kundër Spezias.
Tv Klan