Lajme Arkiva 2003
Marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Shqipërisë nuk janë cenuar nga marrëdhëniet e së njëjtës linjë të kryetarit të Partisë Demokratike të shqiptarëve në Maqedoni Arbën Xhaferri dhe Ljubco Georgievski.
Ky është qëndrimi zyrtar i Maqedonisë i shprehur në Tiranë nga Kryetari i Parlamentit Maqedonas Nikola Popovski në takimin me presidentin shqiptar Alferd Moisiu.
Duke ju referuar marrëveshjes së Ohrit zoti Popovski ka siguruar se për Maqedoninë nuk ka kthim prapa dhe se ajo është e përcaktuar për realizimin e kësaj marrëveshje. Qëndrimet e kundërta me të janë individuale, jo shtetërore ka deklaruar Popovski.
Kundër idesë së shteteve etnike është pozicionuar edhe presidenti Moisiu duke konsideruar se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është baza e zgjidhjes së problemeve të brendshme në Maqedoni. Këtë çështje kryetari i parlamentit maqedonas e ka diskutua edhe me homologun e tij shqiptar Servet Pëllumbi.
Mendimi i përbashkët i palëve në bisedime ishte se niveli i marrëdhënieve midis dy vendeve është shumë i mirë. Të dy kryeparlamentarët kanë mbrojtur idenë se rajoni i Ballkanit nuk po shkon drejt shteteve etnike, por drejt integrimit evropian.
Nikola Popovski: Dy vitet e fundit ju e dini që në Maqedoni u firmos Marrëveshja kornizë e Ohrit dhe Maqedonia u përmbahet ët gjitha pikave të kësaj marrëveshje. Me këtë dhe me marrëveshjet e tjera Maqedonia shkon drejt Evropës. Mendoj se ato deklarata janë anakronike e të shekullit XIX dhe XX.
Servet Pëllumbi: Ne kemi qëndrime të njëjta për çështjet themelore sepse interesat e përbashkëta të dy vendeve tona dëshirat dhe projektet për integrimin evropian dhe euroatlantik. Gjithashtu roli i dy vendeve tona për stabilitetin jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon, janë të tilla që favorizojnë pikërisht ngritjen në një cilësi të re më të lartë të marrëdhënieve midis vendeve tona në të gjitha fushat.
Ndërsa kryeministri Fatos Nano e ka konsideruar vizitën e delegacionit maqedonas në momentin e duhur për të dhënë mesazhin e konsolidimit të institucioneve të bashkëjetesës. Shefi i qeverisë shqiptare duke konsideruar si të domosdoshëm zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ka shprehur vendosmërinë e Shqipërisë për të respektuar sovranitetin midis vendeve fqinje të Ballkanit./tvklan.al