Edhe nata e dytë gjysmëfinale e “Këngës Magjike”, solli mjaft emocione me artistë që dhuruan performanca potente dhe shumë të tjerë që elektrizuan skenën me këngët e tyre.
Mbrëmjen e kaluar 24 artistë u ngjitën në skenën magjike, 9 prej të cilëve në kategorinë “New Artist” dhe 15 në kategorinë “Big”, duke na shpalosur një pasuri të zhanreve të ndryshme muzikore, ku njëkohësisht përmes performancave të jashtëzakonshme tejçuan edhe mesazhe të forta.
Ky edicion i 24-ët i “Këngës Magjike” u shënua në historinë e këtij festivali edhe si viti i rikthimeve të artistëve me emër në kulturën muzikore shqiptare.
“Kam gati 30 vite në skenë, po emocionet janë ndoshta edhe më të mëdha. Përgjegjësia rritet…”, tha Jonida Maliqi.
“Gjithmonë një skenë e tillë të mungon. Këtu publiku kupton që ka shumë punë, ka shumë dashuri, ka shumë përkushtim”, u shpreh Eneda Tarifa.
“Emocionet si zakonisht këtu në Pallat dhe në Këngë Magjike janë gjithmonë të mëdha”, shtoi Lorenc Hasrama.
“Magjike… e shijova, u kënaqa dhe ia vlejti e gjithë lodhja”, tha Algert Sala.
Emocione kishte edhe për artistët e kategorisë “New”, të cilët sollën perfomanca dhe interpretime të jashtëzakonshme.
“E vlerësoj shumë këtë gjë, e shijova skenën pafund. Jam shumë i lumtur”, tha Elio Norra.
“Është një ëndërr mendoj të dalësh në atë publik, të dalësh në këtë festival”, u shpreh Frank Ibrahimi.
“Shkoi shumë mirë, unë isha shumë e emocionuar dhe dhashë maksimumin”, shtoi Lore.
Por edhe në mbrëmjen e dytë gjysmëfinale të “Këngës Magjike”, nuk munguan surprizat dhe momente që publiku u bë pjesë e saj. Mbrëmë ishte Alma ajo që mori një surprizë tepër speciale në ditën e saj të lindjes. Nga tavolina ku po darkonte me familjen, te Pallati i Koncerteve, për të marrë urimin e veçantë.
Risia e këtij edicioni të 24-ët të “Këngës Magjike”, ishte padyshim ndërthurja e artit me Inteligjencën artificiale, ku secili artist kishte avatarin e tij. Ndërsa kjo e shtunë do të sjellë natën e madhe, natën finale, ku do të kemi fituesit e këtij edicioni, dhe një natë që premton emocione dhe surpriza.
Tv Klan