Grupi Drejtues Ndërkombëtarë, i cili përbëhet nga 22 shtete që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, është mbledhur të enjten në Prishtinë për të diskutuar rreth procesit të implementimit të pakos së Martti Ahtisaarit. Pas takimit kryesuesi i grupit drejtues për Kosovën, Pieter Feith e ka thënë se pas 15 qershorit ky grup do të jetë në Kosovë për t’i mbikëqyrur hollësisht institucionet e Kosovës, kur bëhet fjalë për vënien në jetë të anekseve të dokumentit të Ahtisaarit.
Grupi Drejtues Ndërkombëtarë merr në konsideratë përkushtimin e institucioneve të Kosovës në implementimin e pakos së Martti Ahtisaari. Në takimin e sotshme me takimin drejtues për Kosovën ka marrë pjesë dhe kryeministri Hashim Thaçi, para drejtorëve politik për Ballkanin të 22 shteteve, Thaçi ka raportuar rreth ecurisë së implementimit të pakos së Ahtisaarit.
Hashim Thaçi: “Institucionet e Kosovës janë të zotuara t’i kryejnë të gjitha obligimet, t’i kryejnë të gjitha punët që duhet të kryhen në kuadër të kapaciteteve, mundësive që kemi si institucionet e republikës së Kosovës në bashkëpunim me autoritetin civil ndërkombëtarë dhe me NATO-n. Nuk duhet pretenduar për të ndërtu mure ndarëse mes Kosovës dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Pretendimi ynë është i qartë, implementimi i kritereve demokratike, vazhdimi i integrimit të Kosovës strukturat euroatlantike, por natyrisht përkushtim i vazhdueshëm që në të ardhmen e afërt edhe ne të jemi pjesë e OKB-së. E ritheksoj dhe njëherë do të duhet rikonfigurim në prezencën civile ndërkombëtare, rikonfigurim ky i ftuar dhe i mirëpritur prej institucioneve ndërkombëtare”.
Në takimin e sotshëm të grupit drejtues për Kosovën, SHBA janë përfaqësuar nga ndihmës sekretarja amerikane e shtetit Rosemary Di Carlo./tvklan.al