Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Këshilli i Sigurimit të OKB ka diskutuar mbrëmë situatën në Kosovë. Vëmendja e takimit u përqendrua në incidentin e javës së kaluar në Gorazhdec, ku u vranë dy serb të Kosovës dhe u plagosën disa të tjerë. Të 15 anëtarët e tij dënuan dhunën dhe thanë, se shpresonin se do të bëhej më shumë, në mënyrë që të dy komunitetet e Kosovës të jetojnë në paqe.

Këshilli i Sigurimit do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet në Kosovë, siç bëri dhe javën e kaluar menjëherë pas incidentit, tha zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, në një intervistë për BBC dhe shtoi se populli i Kosovës duhet ta dëgjojë mesazhin, të kuptojë urgjencën me të cilën e trajton OKB këtë çështje dhe të arrijë në përfundimin se duhen marrë menjëherë masa.

Në këtë mbledhje të kërkuar nga Beogradi, foli zv/kryeministri serb Nebojsha Çoviç, ndërsa nga Kosova nuk mori pjesë askush. Udhëheqës të lartë të Kosovës e quajtën të padrejtë, që Këshilli i Sigurimit të caktonte një mbledhje ku të diskutohej për të pa qenë e ftuar dhe pala kosovare.

Kryeministri Bajram Rexhepi kishte deklaruar se pala serbe do të paraqiste versionin e saj të së vërtetës. Në të vërtetë, fjala e Çoviçit përpara Këshillit të Sigurimit, ka qenë shumë e ashpër. Zv/kryeministri serb tha, se komuniteti ndërkombëtar do të mbajë përgjegjësinë historike për shpërthimin e fashizmit në Kosovë./tvklan.al

Gazetare – Irida Vasia