Kristiandemokrati Friedrich Merz dhe kancelari aktual Olaf Scholz, shpalosën konceptet e programeve të partive të tyre duke u ndalur në temat më të spikatura të fushatës elektorale si emigracioni, ekonomia, politikat fiskale, klima, reformat sociale dhe politika e jashtme.
Në debatin e parë televiziv që zgjati 90 minuta, Merz e portretizoi Scholz-in si një kundërshtar që e kishte çuar Gjermaninë në krizë ekonomike, ndërsa socialdemokrati u paraqit si një lider me përvojë. Scholz deklaroi se Evropa është e përgatitur të përgjigjet “brenda një ore” nëse Shtetet e Bashkuara vendosin tarifa kundër Bashkimit Evropian.
“Ne mund të veprojmë brenda një ore si Bashkim Evropian. Politika tregtare është një kompetencë evropiane dhe një arsye pse ne duhet të insistojmë që si evropianë t’u përmbahemi rregullave tona të përbashkëta. Nëse SHBA miraton një politikë doganore, do të ketë një rezultat që do të vuajë shumë se një komb i orientuar drejt eksportit”, u shpreh Olaf Scholz.
Duke iu referuar gjendjes së dobësimit të ekonomisë, Merz tërhoqi vëmendjen se Gjermania ka hyrë në vitin e tretë të recesionit, duke theksuar se ka më shumë falimentime firmash dhe rritje të numrit të të papunëve.
“Tani jemi në vitin e tretë të një recensioni. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në Gjermani. Kemi 3 milionë të papunë në Gjermani me një trend në rritje dhe 700,000 vende të lira pune që nuk mund të plotësohen. Kemi një valë falimentimesh si asnjëherë më parë në Gjermani në 500 vitet e fundit. Unë mendoj se Scholz ende nuk e kupton vërtetë realitetin”, tha Friedrich Merz.
Mes një sërë temash ishte gjithashtu edhe emigracioni. Scholz u shpreh për një kurs të ashpër në politikën e azilit. Nga ana tjetër, Merz theksoi, se dëbimet në kufijtë e Gjermanisë për emigrantët e paligjshëm janë të mundshme.
Kandidati i CDU-së shprehu gjithashtu hezitim për të marrë hua për të arritur objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes të aleancës së NATO-s prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, shumë më pak se 5% që kërkon Trump.
Ky debat televiziv shënon edhe fazën përmbyllëse të fushatës elektorale. Merz është shumë përpara në sondazhe dhe favorit për t’u bërë kancelar i ardhshëm i Gjermanisë ku kryeson deri në 34 përqind, ndërsa Scholz renditet në vend të tretë me 18 përqind pas AfD-së.
Klan News