“Antikushtetues, synohet kontrolli i pushtetit vendor”

Pa kaluar 24 orë, Presidenti Ilir Meta ka kthyer një tjetër ligj për rishqyrtim në kuvend, atë “Për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin”, që propozon ndarjen e vendit në 4 rajone. Sipas kreut të shtetit ligji bie ndesh me Kushtetutën, ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe atë për ndarjen administrative-territoriale.

“Kjo ndarje antikushtetuese dhe arbitrare, kufizon direkt çdo iniciativë që mund të kenë dhe ndërmarrin, në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, organet e qeverisjes vendore për të vendosur vetë për problemet që hyjnë në juridiksionin e tyre. Ky akt ligjëron ushtrimin e pushtetit politik të pakontrolluar mbi qeverisjen vendore, çka thellon edhe më shumë krizën e rëndë politike dhe kushtetuese në të cilën ndodhet sot vendi ynë”, thotë Meta.

Presidenti shkon më tej në argumentin e tij ligjor kur thotë se ky akt i miratuar njëkohësisht me ndryshimet Kushtetuese dhe ato në Kodin Zgjedhor, synon parapërgatitjen e qeverisë për të centralizuar të gjitha burimet financiare dhe ekonomike në ato zona që u nevojiten, për dhënien e përparësive në funksion të betejave politike.

“Krijon struktura paralele, vetëm për të rritur pushtetin politik të qeverisë dhe për të kontrolluar çdo vendimmarrje deri në nivel vendor”.

Në listën e argumenteve Presidenti rendit edhe faktin se konsultimi për ligjin është bërë gjatë kohës së fatkeqësisë natyrore. Ligji i miratuar në seancën plenare të 30 Korrikut është denoncuar si antikushtetues edhe nga Partia Demokratike.

Tv Klan