8 muaj nga nxjerrja e masave të sigurisë për ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, ish-policin Dedan Gjoni dhe 9 të tjerë, Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet dhe u komunikoi atyre akuzat e ngritura.
Për t’u njohur me to, këtë të enjte në SPAK u paraqit edhe Erzen Breçani, i cili prej disa ditësh po hetohet në masën e “arrestit në shtëpi” pasi u lirua nga Gjykata e Apelit.
SPAK në përfundim të hetimeve dyshon se ish-zyrtari i lartë i policisë është përfshirë në pastrim të parave dhe përkrahje të autorit të krimit.
Prokuroria e Posaçme nëpërmjet komunikimeve në rrjetin Sky, njoftoi në nëntor të 2023 se kishte zbardhur disa episode të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, një rast të sigurimit të kushteve për vrasje të dy shtetasve si dhe episode të pastrimit të parave.
Në kërkim për këtë dosje me dyshimet se janë përfshirë në trafik të lëndëve narkotike nga vende të Amerikës Latine drejt BE-së, është Ervin Mata, Eralbi Breçani dhe Ismail Zeneli.
Ky i fundit gjithashtu nën hetim se në bashkëpunim me ish-efektivin Dedan Gjoni dhe persona të tjerë kanë siguruar kushtet për vrasjen e dy vëllezërve.
Tv Klan