Qeveria shqiptare ka vendosur të ulë tarifën për aplikimin e letërnjoftimeve për disa kategori qytetarësh, si dhe heqjen e tarifës për disa të tjera.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.
Bujar Nishani: “Për të gjithë ata pensionistë, të cilët marrin pensionet minimale në qytet, për të gjithë pensionistët e fshatit, të cilët kanë aplikuar deri më tash për letërnjoftimin elektronik apo do të vazhdojnë të aplikojnë deri në datën 1 Maj të vitit 2009 çmimi i letërnjoftimit elektronik do të jetë 3 qind lekë. Për të gjithë studentët, për të gjithë ata qytetarë që përfitojnë ndihmën ekonomike për shkak të papunësisë apo për të gjithë ata, të cilët deri në datën 28 Qershor 2009 mbushin 18 vjeç dhe votojnë për herë të parë, të cilët kanë aplikuar deri më tash për letërnjoftimin elektronik apo do të aplikojnë deri në datën 1 Maj 2009 çmimi i letërnjoftimit elektronik do të jetë 2 qind lekë. Për të gjithë personat para dhe tetraplegjikë, si dhe për të gjithë personat e verbër çmimi do të jetë falas.”
Ministri i Brendshëm, Nishani, tha se duke filluar nga data 1 Prill deri më datën 1 Maj të këtij viti personat që e kanë pasaportën për udhëtim jashtë vendit nuk do të lejohen të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik pasi do të kenë prioritet personat pa pasaportë./tvklan.al