Integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen europiane mbetet një nga prioritetet e presidencës hungareze të Këshillit të BE-së. Nga Budapesti ku u takua me homologun e tij Peter Szijarto, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani vlerësoi mbështetjen e Hungarisë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt unionit, teksa nënvizoi se marrëdhëniet mes dy vendeve forcohen dita-ditës.
“Fakti që Presidenca Hungareze e Këshillit të BE e ka shpallur integrimin e Ballkanit Perëndimor një nga prioritetet e saj, është treguesi më i qartë i këtij përkushtimi. Ne do të kishim dashur që rajonin tonë dhe rëndësinë e integrimit të tij ta kuptonin sa më shumë vende të BE po aq mirë sa e kuptojnë miqtë tanë hungarezë. Jam i bindur që procesi do të kishte qenë sot shumë më i avancuar”, tha Hasani.
Sipas ministrit Hasani, Hungaria është më e pranishme se kurrë në tregun shqiptar, duke shënuar rritje të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Dy ministrat Hasani e Szijarto nënshkruan dy marrëveshje, mes të cilave një në fushën e arsimit që synon të forcojë bashkëpunimin përmes shkëmbimit të studentëve dhe përvojave në arsimin universitar dhe pas-universitar, deri në vitin 2027 dhe një Memorandum Mirëkuptimi në fushën e diplomacisë.
Tv Klan