Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, ka kritikuar Rusinë në prag të pesëvjetorit të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Kremlini.
Në një deklaratë të lëshuar sot, vetëm një ditë para pesëvjetorit të aneksimit të Krimesë nga Rusia, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini ka thënë se BE-ja “vazhdontë jetë e palëkundur në angazhimin e saj ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.
“Bashkimi Evropian përsërit se nuk njeh dhe vazhdon ta dënojë shkeljen e ligjeve ndërkombëtare. Vazhdon të jetë një sfidë (aneksimi i Krimesë) për sigurinë ndërkombëtare me implikime të mëdha në rendin ligjor ndërkombëtar që mbron integritetin territorial, unitetin dhe sovranitetin e të gjitha shteteve
”, ka thënë Mogherini.
Mogherini po ashtu ka thënë se “shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga Rusia kanë çuar në rritjen e rrezikshme të tensioneve në Ngushticën Kërç dhe Detin Azov”.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, po ashtu ka thënë se “përdorimi i pajustifikuar i forcës” nga Rusia në nëntorin e vitit të kaluar, ndaj anijeve ukrainase dhe kapjen e anëtarëve të ekuipazhit në Ngushticën Kërç, që gjendet afër Krimesë, “është një përkujtues i efekteve negative që ka aneksimi i paligjshëm i Gadishullit të Krimesë në stabilitetin rajonal”./REL