Deputetja Monika Kryemadhi, ndaj të cilës një ditë më parë u caktua masa e detyrimit të paraqitjes, doli në një konferencë për mediat këtë të martë. Ajo tha se beteja e saj është politike me Edi Ramën dhe të gjithë atyre që i shërbejnë kreut të qeverisë.

“Kështu që i kam toleruar në aspektin njerëzor për shkak të edhe karrierës sime politike. I kam toleruar edhe për sjelljen e tyre sepse në fund të fundit, janë ushtarët e Edi Ramës. Para ca vitesh ishte Arben Kraja, tani është Altin Dumani. Vitin tjetër është dikush tjetër. Të gjithë janë kalimtarë. Beteja nuk është me ta. Ata janë ushtarët e bindur të një perandorie të kapur nga krimi. Normalisht e bëjnë me zell të madh dhe nuk e di deri kur do shkojë kjo histori. Beteja ime është betejë politike me Edi Ramën dhe me të gjithë ata që i shërbejnë Edi Ramës, pavarësisht se për hir të së vërtetës ndoshta kjo vjen për shkak të sjelljes sonë të gabuar si opozitë, por në fund të fundit nuk më takon mua ta komentoj këtë gjë”, u shpreh ajo.

Nga ambientet e Kuvendit, Kryemadhi u shpreh se vendimi i fundit i SPAK e ka bërë që të rikthehet më fort në politikë.  

“Nëse kisha ndërmend të mos merresha më me politike vetë këta më rikthyen në politikë. Jo për të qenë pjesë e strukturave politike të një partie politike, por për qenë pjesë e sensibilizimit të opinionit publik”, u shpreh Kryemadhi.

Ndaj Kryemadhit rendojnë të njëjtat akuza si ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të të ardhurave. Kujtojmë që për të njëjtën dosje ish-Presidenti Meta është arrestuar./tvklan.al