Mosmarrëveshjet në Komisionin Parlamentar për Rendin dhe SHISH-in mes dy strukturave, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ, kanë shfaqur qartë moskoordinim të punës së këtyre strukturave në luftën kundër krimit të organizuar. Ndërsa zv/Kryetari i SHISH-it, Ylli Alushi, ka raportuar, në komision se ka infromuar Policinë e Shtetit në nëntor, se në Vlorë është riaktivizuar trafiku me gomone. Për Kreun e Rendit Toskaj dhe Drejtorin e Policisë Ibraj, ky raport është një manipulim informacioni. Deputeti i Nënkomisionit për SHISH, Jak Ndoka, zbardh debatet mes kreut të SHISH-it dhe kreut të Rendit në mbledhje me dyer të mbyllura.
Jak Ndoka: “Në nëntor është lajmëruar Policia e Shtetit se ka trafik në Vlorë, por nga ana e policisë, nga Drejtori i Qarkut, është dhënë një përgjigje, që nga mesi i shkurtit do të bëjmë një ndërhyrje të hekurt.”
Gazetarja: Me kë kishte biseduar, ose më mirë kujt i ishte drejtuar raporti i Shërbimit Informativ në lidhje me informacionin e muajit nëntor?
Jak Ndoka: “Po Ministrisë së Rendit, s’ka kujt t’i drejtohet tjetër.”
Gazetarja: Edhe njëherë ju lutem, Ministrisë së Rendit apo Policisë së Qarkut Vlorë, si u raportua, si u raportua në fjalën e zotit Alushi?
Jak Ndoka: “Drejtoria e SHIK-ut ka njoftuar Ministrinë e Rendit dhe përgjgija është dhënë nga Drejtori i Qarkut.”
Gazetarja: Kur do të bëhet verifikimi i kësaj?
Jak Ndoka: “Mendojmë që nga java tjetër ,nga Nënkomisioni i SHIK-ut.”
I kontaktuar nga Televizioni Klan, Nënkryetari i Shërbimit Informativ Alushi vazhdon t’i qëndrojë raportit se SHISH-i ka njoftuar policinë. Megjithëse, pas raportit të Komisionit Kuvendor, Nënkryetari i SHISH-it është akuzuar si mashhtrues nga gazeta e partisë në pushtet./tvklan.al