Myrto Uzuni po fiton gjithnjë e më shumë zemrën e tifozëve të Granadës dhe jo vetëm. Sulmuesi shqiptar po përjeton një tjetër sezon fantastik me skuadrën spanjolle, duke e shndërruar në kandidat potencial për të qenë pjesë e La Ligës në edicionin e ardhshëm.

Me 8 gola dhe një asist në 13 ndeshje të luajtura, Uzuni po bëhet gati për të rinovuar kontratën që skadon në Qershorin e vitit 2026.

Sipas asaj që raportohet në mediat spanjolle, 29-vjeçari ka marrë si propozim zgjatjen e marrëveshjes. Në tavolinën e beratasit do ketë një rritje të klauzolës, e cila aktualisht është 25 milionë Euro, por edhe përmirësim të kushteve financiare. Si golashënues i kubit, Granada ka besim të madh te Uzuni dhe me rinovimin e mundshëm të kontratës do ta largonte atë nga klubet e interesuara.

29-vjeçari gjendet në radhët e skuadrës së Granadës që prej sezonit 2021-2022, e që prej asaj kohe ka zhvilluar 100 ndeshje dhe shënuar 43 gola. Zyrtarizimi pritet të bëhet në fund të sezonit, ku do të mësohet edhe fati i Granadës në edicionin e ardhshëm.

Në rast të një ngjitje në elitën e futbollit spanjoll, me Uzunin si protagonist, shqiptari do e kishte më të lehtë për të rinovuar, ndërsa në të kundërt, nëse mbetet në La Ligën 2 nuk do të zgjaste qëndrimin te Granada.

Klan News