Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Kryeministri Meta ka shkarkuar sot pasdite katër ministra dhe ka emëruar mënjëherë zëvendësit e tyre. Kështu me motivaconin për përmirësimin e punës të qeverisë dhe arritjen e një niveli më cilësor të ekzekutivit, sapo janë shkarkuar Luan Hajdaraga, Ilir Panda, Arben Demeti dhe është ndryshuar Ministri i Shtetit Ilir Zela.

Në vend të Luan Hajdaragës, në krye të Ministrisë së Mbrojtjes është emëruar Ilir Gjoni. Në vend të Ministrit të Drejtësisë Ilir Panda, kryeministri Meta emëron Arben Imamin. Në krye të Ministrisë së Punëve Publike, në vend të Demetit u emërua Ilir Zela dhe në postin e lënë bosh prej tij u caktua Ndre Legisi.

Ndryshimet e sotme janë të tretat në kabinetin Meta. Pak kohë pasi u emërua në postin e kryeministrit, Ilir Meta shkarkoi dy ministra, atë të Privatizimit Zef Preçi dhe atë të Shtetit Preç Zogaj. Ndryshimi i dytë në kabinetin Meta, ndodhi para pak kohësh, ku në vend të Ingrid Shulit u emërua Sokol Nako. Shuli dha dorëheqje e akuzuar për punë të dobët, në përmiresimin e infrastrukturës shqiptare.

Ndërkohë ndryshimi i katër ministrave sot, përbën edhe lëvizjen më të madhe në qeverinë e kryesuar nga zoti Ilir Meta. Imami rikthehet në kabinetin qeveritar pas një viti specializimi në SHBA dhe zëvendëson kështu një post që i takon Aleancës Demokratike./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego