SHBA vijon me përpjekjet diplomatike për të shuar krizën në Lindjen e Mesme. I dërguari amerikan Amos Hochtein u takua me kryeministrin Benjamin Netanjahu për të diskutuar një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund konfliktit në Liban.
Netanyahu mësohet t’i ketë thënë të dërguarit të SHBA-së në vizitë, Amos Hochstein dhe këshilltarit amerikan për Lindjen e Mesme, Brett McGurk, se çdo marrëveshje armëpushimi me Hezbollahun e Libanit duhet të garantojë sigurinë e Tel Avivit.
Burimet për Reuters thonë se bisedimet u përqendruan në një pauzë 60-ditore për të lejuar zbatimin e Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Përpjekjet diplomatike vijnë në një kohën kur luftimet midis Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani janë intensifikuar. Tel Avivi ka edhe një tjetër front lufte në Gaza kundër militantëve të Hamasit, që e ka lënë enklavën e vogël në gërmadha dhe ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare.
Hamasi hodhi poshtë këtë të enjte çdo propozim për një ndalim të përkohshëm të luftimeve dhe këmbënguli në një zgjidhje afatgjatë të konfliktit.
“Ideja e një pauze të përkohshme në luftë, vetëm për të rifilluar agresionin më vonë, është diçka për të cilën kemi shprehur tashmë qëndrimin tonë. Hamasi mbështet një fund të përhershëm të luftës, jo një të përkohshëm”, tha zyrtari i lartë i Hamasit Taher al-Nunu për AFP.
Ndërkohë të paktën 30 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ushtarake izraelite në të gjithë Rripin e Gazës. Sulmi shënjestroi një spital duke ndërprerë operacionet. Ushtria izraelite ka akuzuar grupin militant palestinez Hamas për përdorimin e spitalit Kamal Adwan në Beit Lahiya për qëllime ushtarake, por Hamasi mohon akuzat.
Klan News