Sot ata janë prindër dhe mbi supet e tyre rëndojnë barra të rënda, si ajo e detyrës prindërore dhe përgjegjësisë. Por secili prej tyre padyshim do të kërkonte që qoftë edhe vetëm për pak çaste të rikthehej sërish fëmijë.

Programi “Rudina” pasditen e kësaj të shtune, u dha “mundësinë” të ftuarve, publikut dhe telespektatorëve që të ndjeheshin dhe një herë të vegjël, naivë e çapkënë. Ata folën për fëmijërinë e tyre, orët e vona duke luajtur këmbëzbathur në rrugë, bisedat me shokët, zënkat dhe çdo pafajësi të asaj bote.

Ardit Bido është lindur dhe rritur në qytetin e Sarandës. I rritur mes gjelbërimit, valëve të detit ai rrëfen çdo kujtim nga qyteti i tij, i cili tashmë nuk i përngjan aspak vendit që Ardit Bido ruan në zemër.

E ndërkohë që njeriu është në një luftë të vazhdueshme me kohën, nuk të mbetet gjë tjetër vetëm se të kthesh kokën mbrapa dhe me sytë e përlotur të kujtosh çdo gjë që ke kaluar.

“Unë fëmijërinë e lidh me këtë lojën dhe lirshmërinë që ne kishim. Unë jam lindur dhe rritur në Sarandë. Një memorie janë ato, trampolina e madhe e vogël që tashmë nuk ekzistojnë më, dhe në fakt është shoqëruesja e fëmijërisë sime. Një nga memoriet e para që unë kam është që prindërit më hidhnin nga trampolino e madhe, (është memorie e thjeshtë traumatike), prindërit më hidhnin që të gjeja prindin tjetër që ishte poshtë në mënyrë që të mos mbytesha. Është forma që të gjithë ne sarandjotët kemi mësuar notin në një det që kishte iriq dhe kandil. Në fakt ishin hapa që nuk kishte shans që të mos shkelje në iriq derisa të zhyteshe dhe të mos shkelje më”.

“Trampolina e madhe dhe e vogël në fakt janë dhe shoqëruese të ndryshimit të Sarandës. Që për mua ka qenë perla e Shqipërisë. Një prej qyteteve më të bukura, që sot është një kakofoni urbane, që sot nuk është vënë akoma dorë ashtu siç duhet për të rregulluar të paktën ngërçet e qytetit. Sikurse është shoqëruese nga fëmijëria ime dhe loja që ne luanim atje në lagje, që shkonim nga cepi tjetër, ‘fusha e patates’. Mblidheshim të gjithë fëmijët dhe ktheheshim nga ora 10-11 e darkës, ndërkohë që sot ne nuk e lëmë fëmijën tonë as gjysmë ore që të jetë pa praninë tonë,” tha Bido./tvklan.al