Të ftuar:
Saimir Visha
Jordan Daci
Plarent Ndreca
Enkeleid Alibeaj
A ka të drejtë Ilir Meta? Kjo pyetje, e cila ngrihet pas vendimit të Presidentit për çdekretimin e datës së zgjedhjeve të 30 Qershorit, ashtu siç ka ndarë palët politike, ndau edhe juristët këtë të hënë në emisionin Opinion. Të ftuar në studio, Enkelejd Alibeaj, Plarent Ndreca, Jordan Daci dhe Saimir Visha ishin gjithashtu të ndarë në gjykimin e tyre.
Alibeaj dhe Daci u shprehën se dekreti i Presidentit është i vlefshëm. Por ndryshe nga ata mendonin Ndreca dhe Visha. Për Ndrecën, vendimi i presidentit është nul, ndërsa Visha thotë se kompetenca e presidentit është vetëm të caktojë datën e zgjedhjeve. Për Dacin, Presidenti shqiptar ka kompetenca absolute. Ndërsa Alibeaj tha se Presidenti ka të drejtë të çdekretojë njësoj si gjykata e cila mund të shfuqizojë një vendim të sajin.
“Është një veprim krejtësisht politik. Këtu nuk ka asnjë bazë ligjore konkrete, janë gjykime politike. Presidenti nuk mund të përdorë detyrën e tij për të ndikuar në fushën politike, apo për të hedhur dekrete presidenciale në ndihmë të palëve në proces politik. Me këtë veprim ai ka hedhur molotov mbi situatën, është bashkuar me një palë duke e kthyer procesin tërësisht politik. Juridikisht ky akt është tërësisht nul. “, tha Ndreca.
“Presidenti nuk e ka të drejtë të anulojë datën e zgjedhjeve. Kompetenca e presidentit është vetëm të caktojë datën e zgjedhjeve. KQZ sot me të drejtë nuk ka pranuar një dekret shfuqizimi, sepse nuk e parashikon. Data 30 është normale dhe e pakthyeshme. Nëse Presidenti do bënte këtë dekret me një datë të re, atëherë kishte fuqi. Kjo është kompetencë e tij për të caktuar datë dhe KQZ do ishte e detyruar ta pranonte”, u shpreh Visha.
“Absolutisht që ka vlerë dekreti i Presidentit tonë. Ai është njëlloj si dekreti i një presidenti italian, presidenti i Kroacisë, Rumanisë, Maqedonisë së veriut etj. Kreu i Kushtetutës tonë për presidentin është kopje e kushtetutës federale gjermane dhe aty sqarohet qartësisht edhe pozicioni. Presidenti jonë nuk është honorifik, siç kanë dashur ta interpretojnë. Presidenti ynë ka kompetenca absolute”, tha Daci.
“Siç ka të drejtë gjykata të japë një vendim, apo edhe ta shfuqizojë. Sikur në një situatë tjetër, 30 Qershor larg qoftë të kishim 3 ditë zie, çdo bënim? Do bëni zi dhe jo zgjedhje. Mora një rast fare të thjeshtë për ta kuptuar kushdo, jo vetëm të drejtën thelbësore të presidentit të Republikës, për të anuluar aktin, por ajo që është e rëndësishme është ka motive, apo nuk ka motive? Motivet janë juridike, qartësisht motive juridike të cilat e marrin burimin e tyre në situata aktuale”, u shpreh Alibeaj.