#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Ky emision në “Opinion” ishte një ecje nëpër zonat kryesore të Mirditës. Nëpër historinë e saj problematike, por edhe të lavdishme. U nisëm nga Rubiku, Orosh, rrëshen, në Perlat, në disa zona të Mirditës që është një zonë me shtrirje të madhe, por me disa vështirësi komunikimi. Është ndoshta sot një prej zonave në Shqipëri ku fshatrat nuk kanë komunikim. Lëvizja në këto territore është shumë e vështirë. Në studio për ta pasqyruar më saktë këtë zonë ishte edhe Dom Gjergj Meta. Bëhet fjalë për një zonë që ka edhe fillesat e të parës strukturë nëse mund ta quajmë kështu me lidhje shqiptare që është principata e Arbrit e cila ka lindur pikërisht në zonën e Mirditës.

Brenda “ferrit” të Shqipërisë komuniste, takimi i të burgosurve me familjarët: Preknin vetëm majat e gishtave…

Një prej historive më të dhimbshme të komunizmit nis në vitin 1967, kur u vendos që në Spaç të Mirditës të instalohej kampi ose “Reparti 303” i të burgosurve. Ishte i konceptuar si kamp pune të detyruar për minierën. Në 23 vite ekzistencë pati më shumë se sa 1 mijë të burgosur, pjesa më e madhe tyre të burgosur politikë.

Familjarët takoheshin me të burgosurit vetëm një herë në vit, në periudhën e dimrit. Atyre u duhej të përshkonin 15 km rrugë në këmbë, pasi makinat që transportonin mineralin kishin urdhër të mos merrnin asnjë prej tyre.

“Opinion” sjell këtë të Mërkurë detaje për ish-burgun më të tmerrshëm të Shqipërisë. Blendi Fevziu ka shkuar për të parë nga afër godinën e cila ruhet nga një banor i zonës.

Blendi Fevziu: Sa vjet ke që rri këtu?

-Unë jam  vendali, jam rritur këtu. Por që shërbej këtu ka 19 vite.

Blendi FevziuRuan kampin?

-Përkujdesem…

Blendi FevziuPo duket shumë i rrënuar.

-Vetë koha dhe njerëzit e kanë bërë kështu. Nuk u përkujdes shteti.

Ai tregon pjesën hyrëse të godinës, aty ku kryhej kontrolli i familjarëve. Më tej është dhoma e takimit me familjarët, hapësira që i ndante mjaftonte vetëm sa për të takuar majat e gishtave përmes shufrave të hekurta. Takimi zgjaste 15 minuta në praninë e policit.

Spaçi nga sytë e atyre që e vuajtën mbi kurriz, tregojnë ‘vendin e vdekjes’: Na mbanin 1 muaj…

Burgu famëkeq i Spaçit, është një nga burgjet më të tmerrshme që ka njohur Shqipëria. Të burgosurit detyroheshin të punonin pa shpërblim dhe të nxirrnin mineral. “Opinion” ishte në kampin e Spaçit ku na tregoi me sytë e atyre që e kanë përjetuar mbi kurriz dhunën, represionin dhe shenjat që diktatura la mbi shqiptarët. Është një prej burgjeve më të frikshme që vendi ka pasur e ku u mbyll elita shqiptare, e që konsideroheshin nga regjimi kundërshtarë.

Këtë të mërkurë Zenel Drangu dhe Angjelin Dabërdaku na rrëfyen të kaluarën e tyre në Spaç. Drangu tha se ka kaluar 15 vite në Spaç pasi kaloi kufirin në Jugosllavi, por këta të fundit e kthyen pas. Ndërsa Dabërdaku ishte dënuar për agjitacion dhe propagandë.

“Kjo ishte dhoma e takimeve me familjarët. Familjarët kanë vuajtur shumë të vinin për arsye se deri në Shpal kanë ardhur me makinat e Durrësit pasi nuk e kanë njohur se kë po transportojnë. Pastaj prej Shpalit e deri këtu në Spaç ka qenë e vështirë sepse e dinin që janë familjet e të burgosurit dhe kanë pasur urdhër nga dega e brendshme që të mos i merrnin”, tha Drangu.

Brenda kampit ata ishin të rrethuar 5 herë me tela me gjemba. Të shumtë kanë qenë ata që kanë tentuar të arratisen, por për t’i marrë vetes jetën në mënyrë që t’u shpëtonin torturat. Drangu dhe Gabërdaku na treguan se aty kanë luajtur një rol të rëndësishëm priftërinjtë e dënuar që u bënin thirrje të rinjve të mos bënin vetëvrasje.

“Kanë tentuar të arratisen, por më tepër kanë tentuar që të vetëvriten. Ka shumë persona që janë vrarë. Nuk e përballonin dot. Kemi pasur një fat të mirë se kemi pasur shumë priftërinj që ishin dënuar në Spaç që kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në edukimin e të rinjve për të mos bërë vetëvrasje për të dhënë një emocion që mos e bëni këtë punë se robi ju ka dënuar, Zoti nuk ju ka dënuar”, tha Dabërdaku.

Dy ish të burgosurit tregojnë edhe një nga vendet më të tmerrshme të burgut.

“Këtu është vendi i vdekjes”, rrëfeu Dabërdaku.

Bëhet fjalë për disa biruca të vogla ku futeshin deri në 6 të burgosur.

“Kanë qenë 4 biruca, dhoma izolimi. Këto kanë qenë 1 metër me 1 metër e gjysmë. Janë bërë edhe 6 vetë me 1 metër katrorë. Kemi qenë me një xhaketë e hollë beze, këmishë beze, pantallonë beze. Në birucë të dënonin 1 muaj”, tha Drangu.

 Në fund ishte radha e sheshit ku mblidheshin për të ngrënë ushqim. Por ishte edhe sheshi i një oguri të zi.

“Ky ishte sheshi që u rreshtonim për të hëngër ushqimin. Ishte sheshi që kur u thirrnim të gjithë në fushë ishte një ogur i zi që kishte arrestime. Kur thoshte tellalli që të gjithë në fushë, vinte shefi i hetuesisë”, tha Drangu.

Aty ndodhi edhe revolta e Spaçit.  

“Zgjati 3 ditë. E morën kontrollin e burgut dhe kanë bërtitur “Liri, demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Është bërë flamuri me ndihmën e Mersin Vlashit që ishte piktor, pa yll”, tha Drangu.

Kampi i Spaçit ekzistoi për 23 vjet. Reparti 303 i ngritur më 1951 në zonën e Peqinit dhe Kavajës, i transferuar në disa prej zonave më të nxehta të punës së detyruar në Shqipëri, ishte vendosur në Spaç, në vitin 1968 pas një vizite të Mehmet Shehut dhe ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu duke e konsideruar zonën më të vështirë e të izoluar të Shqipërisë.

U mbyll në vitin 1991. Të burgosurit e fundit politikë sipas të dhënave zyrtare janë larguar në datat 13 dhe 14 Qershor 1990. 19 Qershor 1990 u larguan 13 të burgosurit e fundit politikë.

Me një vendim të Korrikut 1991 burgu pushoi së ekzistuari. Në vitin 1991 – 1995 ai u kthye në vend pelegrinazhi për shumë prej gazetarëve të huaj ndërkombëtarë që zbuluan pjesë të panjohura e të tmerrshme të Shqipërisë komuniste.

/tvklan.al