Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Sabri Godo: “Më duket se kësaj here duhet të bëjmë një analizë të mirë dhe të marrim dhe masa për të ndryshuar gjendjen. Tek kjo unë kam shumë pak shpresë. Kështu siç është politika jonë sot për sot, duke u nisur dhe nga ajo që ngjau tani së fundi në Kuvendin tonë, duket se ne nuk kemi mundësi të ndryshojmë asgjë. Kur themi ne, e kam fjalën për forcat politike kryesore që drejtojnë këtë vend, sepse shqiptarët e dëshirojnë dhe e kërkojnë ndryshimin. Nuk munden të durojnë më gjatë këtë gjendje. Aq më keq për politikanët në qoftë se nuk e kuptojnë këtë, sepse do të vijnë zgjedhjet dhe kanë për të përpjekur kokën, kanë për të marrë një mësim të rëndë nga elektorati. Ne do të bëjmë shumë gabim po ta marrim këtë, si një deklaratë komisionit të Helsinkit. Kjo kështu e ka emërtimin, por në të vërtetë kjo është e përbërë nga senatorë, kongresmenë amerikanë dhe një përfaqësues i Departamentit të Shtetit”.
Ilir Zela: “Do i referohesha atyre çfarë profesor Pano kishte në dëshmi në e tij, pra nevojës për të hapur partitë politike në Shqipëri, nevojën për ta bërë politikën sipas një stili ndryshe dhe jo sipas modelit të vetëm që ka ekzistuar në Shqipëri para ’90, sipas modelit komunist. Çdo reformë në drejtim të hapjes së partive, do i kontribuonte konsolidimit të demokracisë në mënyrë që Shqipëria të mos turpërohej akoma më tej, pikërisht prej atyre të cilët e kanë përgjegjësi që të jenë promotor të këtyre proceseve dhe që faktikisht po bëhen prodhues të të gjitha krizave që i vuan në fund të fundit qytetari shqiptar, kur shohim që distanca jonë me Europën dhe me vlerat e perëndimi nuk po ngushtohet”.
Besnik Mustafaj: “Partia Demokratike rikonfirmon vendosmërinë e saj për të mbështetur dhe të gjitha përpjekjet që vijnë nga institucionet shqiptare, nga shoqëria civile, nga institucionet ndërkombëtare, nga vendet mike strategjike, për të realizuar zgjedhje të lira dhe të drejta në Shqipëri dhe është e bindur se pa realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, në Shqipëri nuk mund të luftohet as korrupsioni, as krimi i organizuar. Qeveria Nano, mazhoranca socialiste janë përgjegjësit e vetëm të gangrenës që po bren Shqipërinë”.
Mustafa Muçi: “Mesazhi i ardhur dje nga Washingtoni, se Shqipëria fatkeqësisht vuan të njëjtat probleme si në vitin ’91 është një mesazh dramatik, madje dua të them që është një mesazh tragjik, por megjithëse ne duhet ta pranojmë këtë realitet, megjithëse krijon probleme në perceptimin si i tillë, si mesazh shumë i fortë, ne duhet të jemi koshient që problemet në Shqipëri ekzistojnë dhe gjërat duhen parë me realizëm dhe jo me demagogji”./tvklan.al