Sot paradite, Papa Françesku priti në audiencë një delegacion nga Bashkësia e Bektashinjve, me qendër në Shqipëri, kryesuar nga kryegjyshi, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Në fjalën drejtuar atyre, Ati i Shenjtë vuri në dukje marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kishës Katolike dhe Komunitetit Bektashi, duke nënvizuar rëndësinë e tyre në kohën e sotme, plot luftëra e konflikte.
Më tej, shprehu bindjen se bektashinjtë, së bashku me myslimanët e tjerë, me të krishterët dhe me të gjithë besimtarët e Shqipërisë mund të shërbejnë si urë pajtimi dhe pasurimi reciprok, si shembull jo vetëm benda vendit, por edhe më gjerë, duke kontribuar në paqen ndërmjet Lindjes e Perëndimit të botës.
Papa Françesku dhe kreu i bektashinjve shkëmbyen dhuratat dhe nënshkruan së bashku Dokumentin e Abu Dabit për vëllazërimin njerëzor, paqen dhe bashkëjetesën në botë. Haxhi Dede Brahimaj i foli Atit të Shenjtë për idenë e shtetit bektashi në Shqipëri, sipas modelit të Vatikanit, duke marrë bekimin e Papës për bashkësinë e bektashinjve dhe për gjithë popullin shqiptar. I dhuroi edhe shallin tradional të bektashinjve, të cilin Begoglio e vuri në qafë.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama e deklaroi në Shtator të vitit të shkuar se do të ndërtojë një shtet të ri për bektashinjtë. Sipas tij, qëllimi është promovimi i një version më tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria.
/tvklan.al