Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Parlamenti shtyn edhe një javë afatin për komisionin dypalësh për reformën zgjedhore. Në mesnatë skadon afati i komisionit, por meqenëse kanë mbetur ende disa çështje të papërfunduara, parlamenti ka vendosur që puna e tij të përfundojë pas një jave.
Et’hem Ruka:- “Probleme të cilat mbeten akoma për të gjetur zgjidhje konsensuale, por qëndrimet janë të përafruara, janë problemet e administratës zgjedhore. Problemet e KQZ, problemet e komisioneve zonale, të qendrave të votimit dhe krijimi i trupës gjykuese, që të gjykojë ankimimet, i cili do të jetë në nivelin e Gjykatës së Apelit, duke i larguar ata nga Gjykata Kushtetuese. Nisur nga këto rrethana, ne jemi tërësisht dakord, ashtu siç u shpreh dhe zoti Gjana këtu, bashkëkryetari tjetër, që ne do të na duheshin dhe disa ditë kohë, për të mbyllur të gjitha këto aspekte teknike dhe të jeni të bindur që ky komision, do t’i japë Shqipërisë një dokument që është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është dokumenti kryesor që shpie në zgjedhjet e lira dhe demokratike”.
Emin Gjana:- “Kanë mbetur dy probleme, që janë tratativa brenda komisionit është çështja e përbërjes së KQZ, ka një propozim më të fundit nga përfaqësuesit e PD në komisionin dypalësh, një propozim tjetër nga përfaqësuesit e PS, qëndrime të cilat kanë tentuar dhe synuar të ofrojnë qëndrimin e palëve për të zgjidhur një nga çështjet më të diskutuara, lidhur me një qëndrim të balancuar të institucionit që drejton zgjedhjet”.
Në përfundim të punës, pas një jave, komisioni dypalësh për reformën zgjedhore, do të paraqesë në parlament, një draft-raport me amendamentet e hartuara për ndryshimet në kodin zgjedhor./tvklan.al