Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, përmbylli vizitën e tij dyditore në Kosovë, pas takimeve që zhvilloi në Prishtinë me krerët shtetërorë dhe udhëheqësin e inteligjencës kosovare.
Mëngjesin e 23 gushtit, për rreth një orë ai mbajti takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Pas këtij takimi, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin po udhëton Burns, është larguar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”.
Qeveria e Kosovës e vlerësoi vizitën e shefit të CIA-s në Prishtinë si “moment të rëndësishëm historik” në raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së .
“Ajo [vizita] është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, u tha në njoftimin e ekzekutivit kosovar, të publikuar në rrjetet sociale.
Institucionet e sigurisë, inteligjencës dhe Qeveria e Kosovës u tha se janë të përkushtuara që të avancojnë bashkëpunimin me CIA-n.
“Kryeministri Kurti e falënderoi drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët”, u tha në njoftim.
Takimi mes Kurtit dhe Burnsit në Kosovë u zhvillua pasi kryeministri kosovar ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Një ditë më herët, Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.
Presidentja Osmani, më 23 gusht, konfirmoi takimin me kreun e CIA-s, William Burns.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garanci për siguri, paqe e sukses”, shkroi ajo në Facebook.
Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat që zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane zhvilloi në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Në Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviç, Zhelko Komshiç dhe Zhelka Cvijanoviçit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja.
Nga Qeveria amerikane i thanë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimeve në Sarajevë “ata diskutuan për çështje me interes të përbashkët, të cilat përfshijnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës”.
Gjatë vizitës, sipas zyrtarit amerikan, Burns diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Millorad Dodikut, presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska.
Një ditë më vonë, Dodik deklaroi se “nuk e kam kundërshtuar kurrë” sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shkëputja “nuk ka qenë kurrë politikë e jona”.
Sa i përket vizitës në Beograd, nuk dihet se me kë është takuar Burns.
Vizita e Burnsit në Kosovë pasoi deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.
SHBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.
Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.
Ndryshe, mesditën e 22 gushtit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, gazetarët e Radios Evropa e Lirë panë një avion të ushtrisë amerikane të ndalur në zonën “VIP” të aeroportit.
Me këtë avion, besohet se Burns ka udhëtuar edhe në vende të tjera të rajonit. Ndërkaq, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, ky aeroplan fluturoi më 22 gusht nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës.
Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.
Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021./REL