Prefekti dhe njëkohësisht kreu i shoqatës OMONIA në Gjirokastër, Spiro Ksera tregon se cilat do të jenë lëvizjet politike të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut pak kohë nga zgjedhjet e përgjithshme në qershor. Si përfaqësuese e pakicave greke në parlamentin shqiptar, PBDNi, sipas Kseres, vetëm pas kongresit të partisë me 9 maj, do të vendosë për një marrëveshje parazgjedhore.
Spiro Ksera: “ Në këtë qeverisje ne kemi gjetur hapësirat e duhura, kemi gjetur veten. Në minoritet investimet janë të shumta dhe të mëdha dhe shpresojmë që kryesia e partisë dhe kongresi do jetë ai që do vendosë vazhdimin e aleancës ose jo ngaqë elektorati është i përqendruar në 2 qarqet e jugut siç është ai i Gjirokastrës dhe i Vlorës, ne do kemi dinamik dhe do kemi të sigurt prezencën tonë në parlamentin shqiptar.”
Për sa i takon procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, Ksera deklaron se deri tani është mbuluar 15 % numrit të gjithë atyre që kanë aplikuar.
Spiro Ksera: “ Në bashkitë e mëdha të qarkut të Gjirokastrës që mbulon numrin më të madh të qytetarëve që do pajisjen me letërnjoftime për herë të parë, do thosha që ecën normalisht. Pavarësisht nga vendosja qoftë e opozitës, qoftë e aktorëve të tjerë në skenën qendrore të politikës shqiptare për frenimin e këtij sistemi.”
Spiro Ksera tregon se procesi në qarkun e Gjirokastrës do të përfundojë deri në 28 qershor, pavarësisht disa problemeve që janë shfaqur në qytetin e Përmetit./tvklan.al