Lajme Arkiva 2003
Ky është Arben Pojani 34 vjeç. Një nga biznesmenët më të fuqishëm të mishit dhe kondicionerëve në vend. I ekzekutuar mbrëmjen e djeshme me një plumb në kokë, paraditen e sotme ai është përcjellë për në banesën e fundit. Ritet dhe ceremonia mortore janë organizuar në qytetin e lindjes në Fier, ku morën pjesë qindra miq të afërm dhe kolegë të Arbenit.
Pojani u vra mbrëmë rreth orës 22:00 pas ish kinema Partizanit, në parkingun e një restoranti. Ekzekutimi i tij ka qenë i tipit mafioz, me plumb në kokë, ndërsa autorët deri më tani mbeten ende pa emër. Edhe motivet e këtij krimi janë ende të paqarta për policinë dhe njerëzit që e njihnin. Kolegët biznesmenë të Arbenit thonë se ai ishte një njeri serioz dhe tregtar i rregullt.
E vetmja pikë e errët që njihet deri më tani është vrasja e vëllait të tij në vitin 1998 në Vlorë, megjithatë fjalën e fundit për motivet e vrasjes do ta thotë policia me prokurorinë që janë duke punuar.
I njohur si një nga furnizuesit me mish të mjaft fabrikave të sallamit, Pojani ka pasur një shtëpi shumë pranë vendit ku u vra si dhe zyrat e firmës në godinën Gjergji Center në kryeqytet.
Pojani është njohur edhe si një dashamirës dhe sponsorizues i mjaft aktivitete kulturore artistike në vend, madje ka pasur edhe një agjenci mode në kryeqytet./tvklan.al